Lajme

Kryeziu: Integrimi i Veriut është peng i vullnetit politik mes palës Kosovare dhe asaj të Serbisë

05/29/2023 16:28
nga:Genita C

Kreu i KDI-së, Ismet Kryeziu thotë se është veprim i gabueshëm nëse pushtetin e bën më të fuqishëm se të drejtat qytetare, nën justifikimin për të garantuar sovranitetin dhe integritetin e shtetit, raporton GazetaBlic.

Kryeziu përmes një shkrimi në “Facebook” potencon se përkrahja ndërkombëtare e botës demokratike do jetë e pozicionuar kundër fuqisë shtetërore dhe në përkrahje të qytetarëve, pavarësisht të drejtës së tyre.

Duke folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, Kryeziu shton se integrimi i veriut është peng i vullnetit politik mes palës Kosovare dhe asaj të Serbisë.

Shkrimi i plotë:

Nëse pushtetin e bën të duket represiv dhe më të fuqishëm se të drejtat qytetare, nën justifikimin për të garantuar sovranitetin dhe integritetin e shtetit, është veprim i gabueshëm dhe i dëmshëm për vetë Republikën e Kosovës. Askush s’do të mund ta sfidon këtë të drejtë, mbi sovranitetin dhe integritetin e shtetit. Por, gjithnjë përkrahja ndërkombëtare e botës demokratike do jetë e pozicionuar kundër fuqisë shtetërore dhe në përkrahje të qytetarëve, pavarësisht të drejtës së tyre.

Integrimi i Veriut nuk është peng i standardeve e normave të të drejtave themelore të njeriut e as i sundimit të ligjit dhe shtrirjes së autoritetit ligjor në atë pjesë të vendit. Është peng i vullnetit politik mes palës Kosovare dhe asaj të Serbisë. E në këtë situatë Kosova është ajo që ka interes shtetëror shumë më të madh për tu treguar e denjë në politikë, në diplomaci dhe për të ofruar zgjidhje kësaj situate në shërbim të ruajtjes së integritetit, sovranitetit dhe për ti bërë të zbatueshme vlerat demokratike dhe idealet e Republikës së Kosovës, në harmoni me përkrahjen dhe mbështetjen e botës demokratike.

Në të kundërtën aventurat shtetërore kanë ditur ti han kokën shumë shteteve.