Lajme

INSTAT: 614 mijë turistë vizituan Shqipërinë në prill, 90 përqind e tyre nga Evropa

05/27/2023 19:04
nga:Astrit Gashi

Turistët e huaj po preferojnë Shqipërinë këtë vit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve të huaj arriti në 1.7 milionë.

Një nivel rekord, që vetëm në prill regjistroi 614 mijë bileta të shtetasve të huaj, me rritje vjetore 52%.

Me këtë numër vizitorësh, Shqipëria ka hyrë tashmë në tregun ndërkombëtar të destinacioneve turistike, çka mund të jap hov edhe në rritjen ekonomike.

Shifrat janë pozitive, 2 muaj para çeljes së sezonit turistik, me fluksin më të madh turistik të njerëzve që vijnë nga Europa, rreth 90%, dhe pjesa tjetër nga kontinentet e tjera.

Për agjencitë turistike, edhe sezoni veror pritet të jetë më i mbarë se vitet e kaluara, duke iu referuar prenotimeve masive, në të gjithë vijën bregdetare.

Rritja e numrit të linjave ajrore për të akomoduar kërkesat e të huajve për të vizituar Shqipërinë, kanë ndikuar edhe në rritjen e vizitave të shtetasve shqiptarë jashtë territorit të vendit, me mbi 30% gjatë pjesës së parë të vitit.