Lajme

Edhe BE reagon pas zhvillimeve të sotme në veri: Dënojmë përleshjet mes Policisë dhe protestuesve në veri

05/26/2023 19:15
nga:Astrit Gashi

Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër përleshjet mes policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të nxitura sipas unionit nga përpjekjet e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale, shkruan GazetaBlic.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.

Më tutje u theksua se siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira.

“Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës”, thuhet në reagim.