Sporti

Zabërgja: Objektivi i daljes në Evropë është arritur, kërkojmë trofeun e Kupës së Kosovës

05/24/2023 20:25
nga:Mergim Rreci

Sulmuesi i skuadrës së Gjilanit, Baton Zabërgja ka zhvilluar edhe një tjetër sezon të mirë në Superligën e Kosovës.

Zabërgja ka realizuar 5 gola dhe ka bërë 3 asistime në 28 ndeshje të luajtura, duke qenë një pikë e fortë tek ‘Skifterat’.

Skuadra e drejtuar nga Zekirja Ramadani ka siguruar një vend që dërgon në kualifikueset e Conference League, por ka edhe një mundësi të madhe për ta mbyllur edicionin me një trofe, atje ku në finale të Kupës së Kosovës do të përballet me Prishtinën.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, Baton Zabërgja tha se objektivi i daljes në Evropë është arritur, me klubin që tashmë synon trofeun e madh të Kupës, natyrisht, me mbështetjën e tifozëve dhe gjithë qytetit.

“Objektivi i parë është arritur, duke ditur që kemi synuar daljen në Evropë. Kemi patur një sezonë me shumë sakrifica dhe në fund ja kemi arritur qëllimin”.

“Fitimi i trofeut të Kupës është një tjetër objektiv për klubin dhe synojmë ta arrijmë gjithashtu. Kemi ndeshjen me Ballkanin, më pas do nisim të mendojmë për ndeshjen finale”

“Klubi, tifozët dhe i gjithë qyteti e meritojnë këtë trofe. Në finale presim mbështetjen e gjithë qytetit”, tha fillimisht Zabërgja.

Më pas, ai foli edhe për të ardhmen e tij, atje ku tha se është duke e dhënë më të mirën në fushë, kurse përfaqësuesit e tij e bëjnë punën e tyre,

“Jam i fokusuar vetëm në paraqitjet e mia. Përfaqësuesit e mi kanë pjesën e tyre. Mua më takon vetem të jap më të mirën nga vetja në fushën e lojës. Të punoj shumë dhe të arrij rezultatete, më pastaj gjërat tjerat besoj që do vijnë vet”, përfundoi Zabërgja.

/GazetaBlic Sport/