Lajme

Krasniqi reagon për emërimin e Luljeta Aliut në KPM: Militante e VV-së, Qeveria t’i mbajë larg duart nga mediat

05/24/2023 18:34
nga:G B

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas emërimit të Luljeta Aliut, anëtare e Komisionit të Pavarur për Media, derisa ka thënë se ajo është një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, raporton Gazeta Blic.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me këtë Qeveria dëshmoi se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.

Ai ka thënë se qeveria duhet t’i mbajë duart larg nga mediat.

Postimi i tij i plotë:

Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.

Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.

Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.

Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë.

Larg duart nga mediat!