Lajme

LDK shpall zgjedhjet e brendshme me 1 qershor, Abdixhiku: S’ka mospajtime në parti

05/24/2023 17:00
nga:G B

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesia e partisë ka vendosur unanimisht për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme të partisë, që do të nisin me 1 qershor dhe do të përfundojnë në vjeshtë, raporton Gazeta Blic.

Në një konferencë për media, i pari i LDK-së tha se kjo ditë dhe garë është festë për partinë.

“Sot kryesia e LDK-së ka marrë vendim në mënyrë unanime që t’i shpall zgjedhjet e brendshme të partisë dhe që këtë propozim t’ia dërgojë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili këshill do të mblidhet këtë të premte, për të formalizuar kështu zgjedhjet e rregullta të brendshme të LDK-së. Ky proces për ne është festë sepse LDK gjithmonë ka besuar se demokracia e brendshme është vlerë identitare, jo vetëm emërtim i Lidhjes sonë Demokratike të Kosovës, por si vlerë të cilën besojmë ta manifestojmë edhe në procesin tonë të brendshëm. Ne ftojmë çdo anëtar, çdo veprimtar, çdo qytetar të Republikës së Kosovës që të bëhet pjesë e proceseve tona zgjedhore të brendshme”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se i kanë 7 parime për procesin zgjedhor, teksa tha se pret standard të lartë të zgjedhjeve sikurse edhe në të kaluarën që ka pasur LDK-ja.

“Siç dhe kemi aprovuar sot në kryesi, janë 7 parime që do ta përcaktojnë këtë proces zgjedhor. Këto parime do t’i paraqiten këshillit të përgjithshëm të LDK-së dhe presim që nga aty të nis procesi i brendshëm, i cili themi po nis me 1 qershor, në vjeshtë do të duhej të përfundojë me festë. LDK në të kaluarën ka mbajtur standard të lartë të organizimit të zgjedhjeve, ku gara, garimi dhe respekti identitar, origjinal i LDK-së kanë qenë shembull i këtyre proceseve dhe me këtë shembull LDK-ja ka treguar maturi jo vetëm për standarde të Kosovës, por po se po edhe në rajon dhe më gjerë. Të njëjtën garë, të njëjtin përkushtim e pres dhe tani në këtë proces. Prandaj, i uroj të gjithë anëtarët e LDK-së për këtë ditë, për këtë garë të brendshme”, deklaroi Lumir Abdixhiku.

I pyetur nga gazetarët nëse ka mospajtime në parti, ai mohoi një gjë të tillë.

“Nuk ka mospajtime në parti. Partia ka qenë më e bashkuar se kurrë.  Sot u votua pa asnjë votë kundër, pra në mënyrë unanime për zgjedhje, i ka votuar parimet që i kam propozuar unë dhe janë të gjithë të interesuar që të kemi një proces të rregullt dhe të hapur, por që është më tepër mobilizues. Pra për LDK-në, është shumë me rëndësi që kjo të jetë garë për mobilizim, jo vetëm garë e brendshme, gara e brendshme është e shëndoshë por duhet të kemi edhe mobilizim, sepse dalim më të fuqishëm, më mirë të organizuar, në veçanti me përfshirje më të madhe të trendëve të gruas. Prandaj edhe njëra prej parimeve këtu ka të bëjë me barazinë gjinore në gjithë përfaqësimin brenda LDK-së”, u shpreh ai./Gazeta Blic/

Ekskluzive: Zgjedhjet në LDK nisin më 1 qershor