Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se “situata në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndë, por falë urtësisë së popullit serb është ruajtur paqja dhe stabiliteti dhe ka theksuar se Prishtina nuk ka kompetencë të propozojë draft Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë, por falë durimit, urtësisë, inteligjencës dhe bojkotit të çdo gjëje të institucioneve shqiptare, që i acaron edhe më shumë, arritëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiq në emisionin qendror të lajmeve në RTS.
Ai falënderoi të gjithë serbët në Kosovë “për përgjegjësinë dhe seriozitetin e tyre, por edhe për mbështetjen që i japin”.
Ai vuri në dukje se Prishtina ka mbështetjen e disa vendeve të Quintit në lëvizjet dhe veprimet e saj.
“Escobar thotë – tani presim propozimin e Kosovës për Asociacionin. Më duhet t’ia kujtoj dhe ai nuk do të më falë për këtë – të kthehet dhe të rinovojë materialin, të lexojë se çfarë është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe Anekset. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë të drejtë të bëjnë propozime. Ne as nuk jemi të interesuar dhe as nuk do të marrim pjesë në ato marrëzi që po përpiqen të na mbyllin sytë. Vetëm lexoni se çfarë thotë”, tha Vuçiq.


