Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për Strategjinë kundër Korrupsionit, të propozuar sot nga Qeveria e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit e ryshfetit, derisa si pengesë për rezultate të deritanishme ka përmendur dërgimin e nismave të Qeverisë në Kushtetuese, nga ana e partive opozitare.
Halimi thotë VV paaftësinë për të qeverisur me vendin e strehon në të kaluarën dhe se nuk u fitua lufta kundër korrupsionit as në vitin e tretë të qeverisjes.
“Narrativa e krijuar për të kaluarën vazhdon të strehojë sot paaftësinë e Vetëvendosjes për të udhëhequr me vendin. Viti i tretë i qeverisjes i zë në kundërthënie të vazhdueshme. As nuk u fitua lufta kundër korrupsionit dhe as nuk ndryshoi etika e pushtetit”, thotë ajo për Gazeta Blic.
Ajo thekson se shteti nuk mund të mbahet me akuza ndaj opozitës por duhet vepruar, duhet pasur ide e reforma e drejtësi.
“Nuk mbahet shteti me akuza ndaj opozitës, kur mbivotohet e tallet, por në shtet duhen ide dhe veprime konkrete. Me reforma në drejtësi dhe në qasjen ndaj pushtetit. E para u abuzua, sepse partia në pushtet nëpërmjet propagandës mësynë t’ua përshtat intencave hakmarrëse, kurse e dyta vazhdoi të degradojë në arrogancë! Gjykata kushtetuese po ia dëshmon ditë pas dite Lëvizjes Vetëvendosje se me idetë e tyre për drejtësi të dirigjuar nga kreu i Qeverisë po shkakton pasiguri juridike”, vlerëson zëdhënësja e LDK-së.

Ajo përmend si dëshmi se VV tentoi ta kapë sistemin e drejtësisë përmes ligjeve kundërkushtetuese, por që kjo u shpall e pavlefshme nga Kushtetuesja, me inicim të LDK-së.
“Rasti konkret është tentimi i kapjes së institucioneve të pavarura që nëpërmjet Ligjit nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Kjo ishte edhe një dëshmi që pushteti absolut i Vetëvendosjes përmes ligjeve kundërkushtetuese tentonte të kapte sistemin e drejtësisë. Pikërisht, me inicim të LDK-së, Gjykata Kushtetuese kërkesën e parashtruar e ka shpallur të pavlefshme në tërësinë e tij”, deklaron Sibel Halimi për Gazeta Blic.
Këtë ajo e vlerëson si fitore të ruajtjes së rendit kushtetues, derisa shton se LDK do të jetë gardiane në mbrojtje të shtetit nga pushteti.
“Kjo është fitore e madhe e ruajtjes së rendit tonë kushtetues dhe të pavarësisë së institucioneve të pavarura të drejtësisë. Prandaj, LDK do të jetë gardiane e ruajtjes së rendit juridik dhe nuk do të lejojë që pushteti të dëmtojë shtetin”, shton Halimi.
Ajo po ashtu ka përmendur rastin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit që dyshohet për korrupsion, e që Qeveria e ka marrë në mbrojtje, teksa situatë e ngjashme është edhe me ambasadorin Martin Berishaj.
“Ndërsa, sot dyshimet për korrupsion janë pjesë e përditshmërisë së kësaj qeverisjeje, pikërisht LDK ka kërkuar që i dyshuari për vepra korruptive Nagip Krasniqi të shkarkohet por paradoksalisht ai po merr mbrojtje nga Qeveria. Në anën tjetër, ambasadori Martin Berishaj edhe pse po hetohet, vazhdon të përfaqësojë Kosovën në një vend të BE-së. Kjo është pasqyra e vërtetë e këtij pushteti, propaganda e gjuha populliste në trajtimin e çështjeve”, deklaron zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi./Gazeta Blic/


