Sporti

Mba flet për çështjen e titullit dhe të ardhmen e tij: Do të fitojmë kampionatin, luftojmë deri në fund

05/23/2023 17:56
nga:Mergim Rreci

Christian Mba ishte transferimi i bujshëm i skuadrës së Partizanit në merkaton e janarit.

Sulmuesi 23 vjeçar nga Nigeria u transferua për një shifër rekordre 180 mijë euro nga Trepça ’89, duke rezultuar si një transferim i suksesshëm edhe në fushë më pas.

Mba ka qenë rezultativ tek ‘Demat e Kuq’, ku në 16 ndeshje, realizoi 5 gola dhe bëri 4 asistime, me Partizanin që po ‘lufton’ me Tiranën për titullin kampion.

Dy skuadrat nga kryeqyteti janë në krye të tabelës, me Tiranën që ka 63 pikë në vendin e parë, kurse Partizani ka dy më pak në vendin e dytë.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport‘, Christian Mba tha se ka besim të madh që në fund ai dhe skuadra e tij do ta fitojnë kampionatin.

“Ne do të vazhdojmë të fitojmë deri në ndeshjen e fundit, ndaj kam shumë besim se do të fitojmë kampionatin, do të luftojmë deri në fund“, tha fillimisht ai.

Më pas, Mba foli edhe për të ardhmen e tij, me ofertat dhe interesimin që nuk mungon nga jashtë Shqipërisë, madje nuk mungonte as në kohën kur nigeriani kaloi nga Trepça ’89 tek skuadra nga kryeqyteti shqiptar.

“Për momentin nuk po mendoj për të ardhmen time, por pas kampionatit do të mendoj për të, do të ulemi dhe të shikojmë“, përfundoi Mba.

/GazetaBlic Sport/