Lajme

Mesazhet e senatorëve amerikanë/ Analistët: Presioni nga SHBA dhe BE të jetë te Serbia, Kosova s’ka bërë shkelje

05/22/2023 22:02
nga:G B

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, sot në Prishtinë thanë se Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe se Asociacioni duhet të përfundojë këtë vit, që do të çojë drejt njohjes së ndërsjellë.

“Serbia duhet të ndalojë që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendoj se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por, koha ka shumë rëndësi. Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje dhe që të mundësohet lëvizja drejt normalizimit, që do të çojë deri te njohja e ndërsjellë. Prandaj, na vjen mirë që dëgjuam për planet tuaja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe jemi të gatshëm që t’iu përkrahim”, tha senatori Murphy pas takimit me Kurtin.

Lidhur me këtë, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Analisti politik Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se Serbia është ajo e cila nuk po ka gatishmëri për Asociacionin, derisa Kosova ka dalë dhe me propozim modelin kroat.

“Kosova ishte e përgjegjshme edhe gjatë takimeve në Bruksel dhe Ohër sepse kishte gatishmëri të dalë me propozime konkrete për themelimin e Asociacionit por nuk pati gatishmëri nga Serbia dhe nga BE. Kosova edhe takimin e fundit ka propozuar modelin kroat si një model evropian dhe ka prezantuar edhe parimet që mbështet edhe mbi parimet e deklaruara edhe nga SHBA”, thotë ai.

Sipas Racit, Serbia refuzon pasi synon të ketë një Republika Sprska në Kosovë.

“Serbia vazhdon të refuzojë sepse ka ambicie edhe për një Republika të re Srpska por kjo nuk kalon. Është vështirë të pritet që të themelohet sepse Serbia nuk është e gatshme që ai Asociacion të jetë sipas marrëveshjes së 2013 dhe 2015, edhe pse vetë i ka nënshkruar asokohe”, deklaron analisti Gazmir Raci për Gazeta Blic.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, thotë për Gazeta Blic se detyrimet e marrëveshjes duhet të respektohen nga palët dhe detyra kryesore e SHBA-ve dhe BE-së është kjo.

“Nga marrëveshja Kosovë -Serbi dalin disa detyrime që domosdo duhet të respektohen nga ana e kontraktueseve. Në këtë anë shkon edhe qëndrimi i SHBA-ve “se palët detyrohen të respektojnë obligimet”. Natyrisht se këtu detyra kryesore e respektimit të qëndrimeve qëndron te UE-a dhe te SHBA-të. Nga këto dy mekanizma varet realizimi i detyrimeve të marra. Këtu kemi rrëshqitje të UE dhe të administratës së SHBA-ve”, thotë ai.

Sipas Kelmendit, presioni nuk duhet të jetë vetëm ndaj Kosovës për zbatim të marrëveshjes, pasi kjo po e inkurajon Beogradin që të ketë rol destruktiv.

“Senatori i SHBA-ve, z.Menderez, në takim në komisionin e Senatit të SHBA-ve për politikë të jashtme, kritikoi politikën e Uashingtonit zyrtar ndaj Kosovës. Ai tha: “(…)nuk duhet të bëhet presion vetëm ndaj Kosovës, sikundër po veprohet, por kryesisht ndaj shtetit serb (…)”. Presioni i ashpër ndaj Kosovës për Asociacion, duke bërë balancim me shtetin serb, si përgjegjës për tërë çështjen, ka inkurajuar Beogradin kundër çdo qëndrimi konstruktiv në raport me Kosovën”, vlerëson profesori për Gazeta Blic.

Ai thekson se SHBA dhe BE duhet të jenë të qarta ndaj shtetit serb dhe të ndalen qëndrimet kundër Kosovës të Lajçak e Borrell.

“UE dhe SHBA kërkohet të jenë të qartë dhe të veprojnë me mjete politike e ekonomike ndaj shtetit serb. Këtu kërkohet të ndalë qëndrimet z.Lajçak e z.Borrell nga UE-a kundër Kosovës në llogari të shtetit serb. Ndërsa, z.Gabriell kërkohet të mos bëjë barazimin e Kosovës me Serbinë dhe mos të shtrijë përgjegjësinë vetëm ndaj Kosovës”, potencon Kelmendi.

Sipas tij, duke mos e bërë përgjegjëse Serbinë për shkelje të marrëveshjes, ajo po vazhdon ta bëjë këtë dhe se ajo duhet të ndalet nga ana e SHBA-ve dhe BE-së

“Lënia anash e përgjegjësisë të shtetit serb ka bërë të mundur edhe punën e shtetit serb kundër Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundruall shteteve. Ky veprim ndalet vetëm nga UE dhe nga SHBA. Kosova nuk ka mjete dhe nuk disponon me mekanizma që mund të ndikojë më shumë në raport me jashtë. Kjo i takon garantueseve të marrëveshjes Kosovë-Serbi, përkatësisht SHBA-ve dhe UE-së”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/