Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës të mbajtura me 23 prill të muajit të kaluar, nxorën katër kryetarët të rinj të këtyre komunave, ku partia në pushtet, fitoi dy komuna, ndërsa partia më e madhe opozitare PDK, fiton dy të tjera, raporton Gazeta Blic.
Gjithçka që dihet deri tani është se kryetari i komunës së Mitrovicës veriore Erden Atiq është vetuar solemnisht premten e kaluar ndërsa që këtë të hënë ai zyrtarisht ka nisur punën si kryetar.
Por çka ndodhi me tre kryetarët tjerë që ende nuk u betuan?
Gazeta Blic ka folur me kryetarin në ardhje të komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, por dhe me sekretarin për zgjedhje në këtë parti, Betim Gjoshin.
Ky i fundit po akuzon partinë në pushtet se pse ende nuk ka një ceremoni solemne për kryetarët e rinj ku ata do të bënin betimin dhe më pas do të nisnin punën si kryetar të zgjedhur të këtyre komunave.
Sipas Betim Gjoshit partia në pushtet përmes rrugëve jo zyrtare po ju kërkon së paku dy kryetarëve të këtij subjekti politik që ta ndërrojnë lokacionin për betim, e jo në kuvendet komunale në Zveçan dhe Zubin Potok.
“Përmes telefonit atyre po ju kërkohet që të ndërrojnë vendin për ceremoninë e betimit, ndërsa ka komunikim zyrtar për çështje të tjera. Këtë ata po e bëjnë për shkaqe sigurie apo çfarë nuk e di, por është obligim i ministrisë së Pushtetit Lokal që kryetarët e rinj të betohen dhe të nisin punën”, tha Gjoshi.
Sipas tij nga ana e kryetarëve të zgjedhur gjithçka është gati.
“Kryetarët tonë i kanë bërë ftesën për seancën solemne te asamblistëve, ministrit, por pa ndonjë shkresë ju kanë kërkuar ndërrim lokacioni për ceremoninë e betimit. Data se kur mund të ndodhë kjo nuk ka. Ministria e Pushtetit lokal mos të injorojë kryetarët tanë”, tha Gjoshi.
Gazeta Blic ka kontaktuar edhe njërin nga kryetarët në ardhje në Komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Ai shkurt ka thënë se për këtë çështje detaje janë në ministrinë e pushtetit lokal që drejtohet nga Elbert Krasniqi.
“Ministria i dinë të gjitha detajet, duhet të dal me njoftim se kur mund të kryhet një procedurë e tillë”, tha ai.
Gazeta Blic ka folur edhe me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ky i fundit tha se nuk qëndrojnë akuzat e PDK-së për vonesa, por ka dhënë detaje interesante se kur mund të betohen kryetarët e rinj.
“Ne jemi në koordinim me ta, sot kam folur me njërën nga kryetarët, i kam takuar disa herë jemi në përgatitje të ceremonive dhe sot gjatë ditës do të publikohen detaje se kur mund të betohen kryetarët e rinj”., tha ia.
/GazetaBlic/


