Sporti

Humbën titullin e kampionit, skuadra shqiptare gati të nënshkruajë me Ardian Nuhiun

05/21/2023 23:17
nga:E K

Shkëndija e Tetovës e mbylli këtë sezon pas asnjë trofe. Në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, e dominuar tashmë prej skuadrave shqiptare (Struga u shpall kampione për herë të parë në histori), kuqezinjtë u renditën të tretët, duke fituar gjithsesi të drejtën për të luajtur në Kupat e Europës.

Stafi drejtues nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura kështu që ka projektuar ndryshime të rëndësishme, duke nisur me stafin teknik.

Me largimin e trajnerit Qatip Osmani, detyra e parë e drejtuesve është emërimi i teknikut të ri.

Mësohet se këtë rol do ta marrë një emër i njohur për kuqezinjtë, Ardian Nuhiu.

Ish-mesfushori i lindur në Shkup, i cili ka qenë pjesë e Shkëndijës në vitin 2013, do të emërohet shumë shpejt trajner i skuadrës kuqezi.

Nuhiu nuk ka një karrierë të gjatë si trajner. Ai ka drejtuar Shkupin në sezonet 2016-2018, si dhe Dritën e Gjilanit për një periudhë jo të gjatë në vitin 2019./SS