Në 33 vjetorin e themelimit të degës së Zvicrës, LDK ka mbajtur tubim në Cyrih, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku është takuar me bashkatdhetarët, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky tubim rikonfirmonte rikthimin e LDK-së drejt së ardhmes.
Ai ka dhënë mesazh për bashkatdhetarët, që të bashkohen dhe të ndërtojnë shtëpinë demokratike dhe të ndërtojnë shtetin që e kanë ëndërruar gjithmonë.
Postimi i tij i plotë:
LIDHJA JONË E MADHE NË MËRGATË
Kremtja jonë në Cyrih, në 33 vjetorin e themelimit të degës së Zvicrës , ishte një tubim madhështor, që përveç kujtimeve për të shkuarën rikonfirmonte rikthimin e LDK-së drejt së ardhmes.
Mes bashkatdhetarëve tanë dhashë një mesazh. Ky mesazh le të jetë një thirrje për çdo rugovist, çdo të djathtë, çdo patriot në Kosovë e në mërgatë. Le të bëhemi bashkë; le t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit; të gjitha regjionet, të gjithë brezat, të gjitha anët, le të rreshtohemi prapa një ideje e një ëndrre që sot kërkon angazhimin tonë monumental. Le të ndërtojmë shtëpinë tonë demokratike, lidhjen tonë politike, Lidhjen tonë Demokratike. Le t’i japim vetes një organizim politik si asnjëherë më parë, e Kosovës, gjeneratave të tashme e të ardhme, shtetin që e kemi ëndërruar gjithherë.
Bashkëatdhetarë, ju faleminderit për pritjen e ngrohtë, si gjithmonë.


