Lajme

Tentativa për “kurdisjen” e konkursit, reagon Nagavci: Nuk jam në njohuri për këto detaje!

05/20/2023 20:41
nga:Y I

Pas publikimit të lajmit me titull “MASHTI dyshohet se po “kurdis” konkurs për psikolog, për zyrtarin që merret me diplomat që vijnë nga Veriu” ka reaguar Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nagavci në një përgjigje të shkurtë dhënë për “Gazeta Blic” deklaroi se nuk ka njohuri për këto detaje.

“Më vjen keq por nuk jam në njohuri për këto detaje” ka thënë shkurt Nagavci për “Gazeta Blic”

Në artikullin e publikuar orë më parë nga “Gazeta Blic” bëhet fjalë për konkursin e datës 17.05.2023 të shpallur përmes e-prokurimit për “Kontraktor individual për trajtimin e dokumenteve të cilat vijnë nga pjesa veriore e Kosovës në arkivin e MASHT-it”

Një nga kriteret e këtij konkursi është që personi që konkuron për këtë pozitë, duhet të ketë trajnime në fushën e psikologjisë.

Personi që mund ta fitojë këtë pozitë pune është i ngarkuar të merret me dokumentat që vijnë nga Veriu për në arkivën e MASHTI-it.

“Po pse duhet të ketë trajnime në fushën e psikologjisë një person që vetëm duhet të pranojë dokumentat që vijnë nga pjesa veriore e vendit për në arkivën e MASHTI?” ka thënë një burim i “Gazeta Blic” brenda Ministrisë së Arsimit.

Po i njëjti burim ka deklaruar në kushte anonimiteti se ky vend pune po ruhet, për një të afërm të të “fortëve” të LVV-së.

Nga po të njëjtat burime thuhet se pak ditë më parë, për të kryer një punë të tillë, është rekrutuar një ekspert dhe në konkursin e shpallur tani, nga kriteret e kërkuara, kërkohet edhe një psikolog.

Puna e vetme që këta persona kryejnë është pranimi dhe mbledhja e dokumentave që më pas i dërgohen Komisionit për shqyrtim.

/Gazeta Blic/

MASHTI dyshohet se po “kurdis” konkurs për psikolog, për zyrtarin që merret me diplomat që vijnë nga Veriu!