Lajme

Osmani takohet Escobar në Mal të Zi, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë

05/20/2023 19:08
nga:Y I

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, ku mori pjesënë inaugurimin e presidentit të ri Milatović, ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, njofton Presidenca raporton Gazeta Blic.

Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes.Presidentja Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë” thuhet në njoftimin e Presidencës raporton Gazeta Blic.