Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi që kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një video nga xhipi qeveritar bëri një video ku tha se do ta kthejnë mërgatën në Kosovë, raporton Gazeta Blic.
Ka qenë Muhamet Hamiti, i cili ka thënë se pikërisht gjatë qeverisjes së Kurtit në këto dy vjet e gjysmë mandate, kanë ikur mbi 100 mijë qytetarë nga Kosova.
“Kjo Qeveri e Kosovës po i përzë qytetarët e Kosovës, po e rrit mërgatën tonë, me synimin për ta kthyer mërgatën! A s’është absurde kjo?”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Reagimi i plotë:
“Rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës”, paska thënë kryeministri Kurti sot në një video.
I buzëqeshur, i vetëkënaqur, kryeministri e thoshte këtë ndërsa në dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së tij të ‘shpresës’, mbi 100.000 kosovarë të zhgënjyer e kanë braktisur vendin dhe e kanë rrritur mërgatën që Kurti thotë se do ta kthejë.
Ikja e kosovarëve nga vendi “është diçka normale”, thoshte para 10 ditësh zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi.
Kjo Qeveri e Kosovës po i përzë qytetarët e Kosovës, po e rrit mërgatën tonë, me synimin për ta kthyer mërgatën! A s’është absurde kjo?
Kjo Qeveri po e katandis Kosovën ditë për ditë, keq e më keq.
Qeveria e Albin Kurtit po i përbuz qytetarët e Kosovës, po ua mbyt shpresën dhe po ua fyen inteligjencën.
Katandisja e Kosovës nuk ndalet pa shkuar kjo Qeveri. Natyrisht, kjo është në dorën e qytetarëve të Kosovës, e atyre që e kanë votuar dhe e atyre që s’e kanë votuar këtë Qeveri demagogësh.


