Më pak se dy orë kanë mbetur nga betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Gjatë rrugëve në këtë qytet janë vërejtur patrullime të shpeshta të Policisë së Kosovës.
Atiq u zgjodh kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ku procesin e kanë bojkotuar popullsia shumicë e qytetit e nacionalitetit serb. Mbrëmë me 18 maj, shtetet e QUINT-it, kanë bërë thirrje të shmangen tensionet në pjesën veriore, teksa kanë theksuar se mandati i kryetarëve të rinj të komunave veriore është afatshkurtër.
Megjithatë sipas tyre zgjedhjet janë mbajtur në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Po ashtu, ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jefrrey Hovenier, ditë më parë ka deklaruar se kryetarët e rinj duhet të kenë rol teknik dhe jo politik.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill të këtij viti, kandidati nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota, përkatësisht 66 për qind të votave në total.


