Profesori universitar, Mazllum Baraliu në një intervistë për GazetaBlic ka folur rreth procesit të dialogut, ku sipas tij po zvarritet qëllimisht nga Serbia.
“Dialogu po zvarritet, siç u zvarrit me vite të tëra. Qëllimisht kemi zvarritje nga Serbia e cila nuk është e interesuar për dialog dhe marrëveshje me Kosovën, aq më pak marrëveshje që kushtëzon nga Bashkësia Ndërkombëtare njohjen e Kosovës”, thotë Baraliu.
Baraliu ka kritikuar qasjen e BE-së dhe Bashkësisë Ndërkombëtare dhe i lë si fajtor që Kosova dhe Serbia nuk po mund të kenë rezultate.
“Kjo qasje e Bashkimit Evropian dhe Bashkësisë Ndërkombëtare nuk është as parimore dhe as korrekte, për këtë arsye nuk mund të ketë rezultate. Kosova nuk mund të pranojë çfarëdo draft-statuti, veçanarisht një i tillë që është bërë në emër të Qeverisë së Kosovës, dhe kundër Qeverisë së Kosovës”, tha Baraliu.
Sipas Baraliut, procesi i dialogut do të zgjasë shumë sepse palët kanë qasje të njëanshme.
“Duke i pasur parasysh të gjitha këto pengesa dhe presione, qasjen e njëanshme të procesit ndaj palëve, unë mendoj se ky proces do të zgjasë dhe do të zgjasë shumë. Nuk do të ketë një tempo të dëshiruar dhe nuk do të ketë përfundim të shpejtë”, tha Baraliu.
I pyetur se duhet apo jo kryeministri të tërhiqet nga dialogu nëse i kërkohet shkelja e Kushtetutës, Baraliu thotë se nëse ndodhë një gjë e tillë, patjetër që duhet të ketë tërheqje nga dialogu.
“Askush nuk ka të drejtë, as kryeministri dhe as kjo Qeveri. Gabimet që janë bërë në të kaluarën duke nënshkruar apo pranuar marrëveshje që e kanë dëmtuar sovranitetin dhe rendin Kushtetutes juridik, nuk guxojnë të përsëriten. Çdo gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk ka të drejtë askush ta zbatojë sepse ka përgjegjësi penale dhe morale ndaj popullit”, tha Baraliu për GazetaBlic.


