Skuadra e Trepçës dhe ajo e Pejës do të përballen sonte në ndeshjen vendimtare për titullin kampion.
Nga 4 takimet e zhvilluara deri më tash, të dy skuadrat kanë siguruar nga dy fitore, me ndeshjen e pestë në ‘Minatori’ që do të vendosë për skuadrën kampione.
Ndeshja e fundit në palestrën ‘Karagaçi’ ishte një ndeshje dramatike, me vendasit nga Peja që fituan dhe e dërguan çështjen e titullit për t’u vendosur në ndeshjen e fundit.
Të gjitha biletat janë shitur për këtë ndeshje, me atmosferën që pritet të jetë e ‘zjarrtë’ në tribuna, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë sezonit tek kjo palestër.
Ish basketbollisti dhe njohësi i basketbollit kosovar, Fikret Shatri tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Trepça ka një përparësi të vogël, por se edhe Peja e ka dëshmuar veten me paraqitjet e mira në Mitrovicë.
“Kemi të bëjmë me dy ekipe shumë cilësore dhe të kompletuara në të gjitha pozitat. Trepça ka një përparësi të vogël në aspketin cilësor në pozitat e lojtarëve vendor dhe fundorëve(Kastrati – Tmusic), si dhe avantazhin e skuadrës vendase. Por Peja e ka dëshmuar veten me ndeshje shumë të mira në Mitrovicë, ku në pjesën dërmuese ka udhëhequr, por në fund nuk arrinte të përmbyllte pozitivisht ndeshjen. Prandaj, ndeshja e 5-të do të jetë e paparashikueshme dhe cilado skuadër të fitojë do ta meritojë“, tha Shatri.

/GazetaBlic Sport/


