Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se zgjidhja e çështjeve teknike në politikë nuk është për njerëzit që duan zgjidhje të shpejta, duke thënë se serbët në veri të Kosovës duhet ta kenë të zgjidhur çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përcjellë GazetaBlic.
Hill, në një intervistë për Nova S, e ka vlerësuar si një proces shumë të vështirë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se të gjithë e kuptojnë se situata është e vështirë, por ka treguar se në anën tjetër është e nevojshme të formohet Asociacioni i Komunave serbe.
“Ka një vetëdije në mesin e politikëbërësve amerikanë se serbët në Mitrovicën e Veriut dhe Kosovë, në realitet, duhet ta kenë këtë çështje të zgjidhur përmes asociacionit të Komunave serbe”, tha Hill.
Ai theksoi se me këtë çështje, përveç Evropës, po merren edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj rezultati përfundimtar, sipas tij, është Asociacioni.
“Është një çështje me të cilën po merren edhe evropianët edhe SHBA-ja, dhe megjithëse nuk do të ketë përparim në çdo takim, në fund do të kemi një Asociacion të Komunave Serbe”, tha Hill.
Ai pajtohet me qëndrimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, në vlerësimin e tij negativ për zgjedhjet e fundit të mbajtura në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga shumica serbe në këto komuna.
“Nuk besoj se këto zgjedhje mund të kenë një ndikim pozitiv në komunat me shumicë serbe në afat të gjatë dhe është e rëndësishme për mua që të fokusohemi dhe ta tejkalojmë këtë dhe të arrijmë te formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha Hill.
Ai thekson se mirëkuptimi ndërpersonal dhe koha janë të nevojshme që një proces i tillë të realizohet.
“Dallimet janë të thella dhe është koha që njerëzit të fillojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin më mirë për të gjetur një zgjidhje”, theksoi ai, përcjellë GazetaBlic.


