Erden Atiq, i cili u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e 23 prillit, pritet të bëjë betimin me datën, 19 Maj.
Kështu konfirmoi për “Gazeta Blic” Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Krasniqi tha se betimi i Atiq do të bëhet ditën e premte në ora 11:00.
“Ata e kanë dërgu ftesën në Ministri që betimi i kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut do të bëhet ditën e premte në ora 11:00”
I pyetur se kur pritet të bëhet betimi i kryetarëve në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, Krasniqi u përgjigj kështu.
“Ende nuk kemi pranu ftesë nga Kuvendet komunale se kur do të mbahen seancat por besoj se ditët në vijim edhe ata do t’i bëjnë publike” deklaroi Krasniqi për “Gazeta Blic”
Elbert Krasniqi, Ministër i MAPL
Por një tjetër kryetar që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar kohën se kur pritet të bëhet betimi i tij në krye të komunës.
Lulzim Hetemi, kryetar i komunës së Leposavqit, tha për “Gazeta Blic” se betimi i tij si kryetar pritet të bëhet javën tjetër.
“Javën tjetër, ditën e premte, në Mitrovicë” tha shkurt Hetemi për “Gazeta Blic”
Lulzim Hetemi, kryetar i Leposaviqi LVV
Ndërsa Izmir Zeqiri, kryetari i Zubin Potokut, i cili vjen nga PDK, tha se ende nuk kanë marrë vendim për cermoninë e betimit.
“Nuk e kemi marr vendimin akoma” tha shkurt Zeqiri për “Gazeta Blic”

Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut PDK
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, javë më parë ka çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë në katër komunat veriore.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq fitues dolën kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan dhe Zubin-Potok ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në Leposaviq, Lulzim Hetemi i VV-së mori shumicën e votave.
Hetemi mori 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind.
Erden Atiq në Mitrovicën e Veriut ka fituar 553 vota apo 66.9 për qind.Pas tij është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 193 vota apo 23.4 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 80 vota apo 9.7 për qind.
Kandidati i PDK-së për Zubin Potokun, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani.
Zeqiri mori 197 vota apo 52.2 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47.7 për qind.
Ndërsa Ilir Peci në Zveçan mori 114 vota apo 59 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 72 vota apo 37.3 për qind. Sllagjana Pantoviq mori shtatë vota apo 3.6 për qind. /Gazeta Blic


