Lajme

“Na ka rënë sistemi”/ Mërgimtarët ankohen për bllokim të lëshimit të dokumenteve në Ambasadën e Kosovës në Austri – deklarohet MPDJ

05/16/2023 11:29
nga:G B

Driton Zeneli me prejardhje nga Podujevë jeton prej 20 vitesh në Austri.

Javën e kaluar, ai ka shkuar në Ambasadën e Kosovës në Austri, në mënyrë që të aplikojë për pasaportë kosovare, derisa ajo që e ka i skadon pas një muaj e gjysmë.

Por, ai ka thënë për Gazeta Blic, se që nga e hëna e kaluar, në ambasadë nuk ka mundur të fillojë procedurat për çështjen në fjalë, pasi i është thënë se kanë probleme.

“Fillimisht kam shkuar të hënën e kaluar në ambasadë dhe më kanë thënë se kanë problem dhe të shkoj tjetër ditë. As këtë të hënë kur shkova nuk po bëhej lëshimi i dokumenteve, siç thanë sërish se kanë probleme teknike. Nuk e di se sa do të zgjasë apo kur do të mund të pajisemi, pasi këtu në Austri ligji është që duhet paraprakisht ta kesh pasaportën e re, me afat, në mënyrë që të mund të qëndrosh në shtet. Në këtë mënyrë nuk kam mundësi as të udhëtoj”, tha mërgimtari Zeneli për Gazeta Blic.

Rastin se ka probleme me lëshim të dokumenteve në Ambasadën e Kosovës në Austri e ka konfirmuar për Gazeta Blic edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas ministrisë, problemi teknik ka ndodhur në javët e fundit dhe do të evitohet plotësisht deri nesër.

“Shërbimi Konsullor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, në javën e fundit është përballur me disa probleme teknike në sistemin e aplikimeve për pasaporta dhe letërnjoftime, për evitimin e të cilit është duke u punuar intensivisht nga ekipet përgjegjëse.

Problemi që lidhet me një pajisje harduerike do të evitohet plotësisht më së largu ditën e nesërme. Për informimin tuaj, që nga viti 2009 kur edhe ka filluar lëshimi i dokumenteve personale, sistemi i aplikimeve, qoftë për pasaporta, letërnjoftime apo certifikata, menaxhohet dhe mirëmbahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Divizioni për Prodhimin e Dokumenteve. Ndërsa MPJD jep vetëm mbështetje profesionale kur një gjë e tillë kërkohet.

Megjithatë DPD po merret me çështjen dhe funksionalizimi i plotë i sistemit është vetëm çështje orësh”, thuhet në përgjigjen e MPDJ./Gazeta Blic/