Lajme

Shqetësimi i prindërve për sigurinë e fëmijëve në shkollën “Gjergj Fishta”, flet drejtoresha: Policia është e informuar

05/18/2023 18:42
nga:G B

Prindër të shumtë të shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, janë shprehur të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre që vijojnë mësimet në këtë shkollë, për shkak të një personi që qëndronin në oborrin e kësaj shkolle.

Në një video të dërguar për Gazeta Blic, djaloshi i cili është i moshës madhore, shihet teksa kap një fëmijë të klasave të ulëta dhe pasi e ngrit e ulë sërish në vendin ku ishte.

Ata shprehin shqetësimin e tyre për Gazeta Blic për sjelljen e tij ndaj fëmijëve, duke u frikësuar se ai mund t’i lëndojë ata.

 

Lidhur me rastin, për Gazeta Blic ka folur drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, Supije Zhitija.

Ajo thotë se personi në fjalë quhet dhe është i moshës mbi të tridhjetat, me familjen e të cilit kanë biseduar shumë herë, e që e cila ka thënë se kanë bërë përpjekje për ta ndalur por që nuk kanë mundur, derisa ai është me nevoja të veçanta.

“Sot e patëm takimin me Policinë dhe edhe njëherë e ngrita këtë çështje në nivelin më të lartë, pra Policinë. Të gjitha format e komunikimit të sensibilizimit për këtë çështje i kemi ndërmarrë si shkollë, konform kompetencave që i kemi. Kemi biseduar me familjen e personit, por pa dobi.  (L) është në moshën mbi të tridhjetat dhe ka një familje që motrën e ka pasur këtu në shkollë dhe sa e ka pasur motrën në shkollë, nëpërmjet saj kemi pasur mundësi të komunikojmë me familjen e tij, janë të pafuqishëm në këtë drejtim dhe nuk premtojnë por edhe kur kanë premtuar, nuk kanë qenë në gjendje ta mbajnë atë, nuk mund të reagojnë më shumë. Ata thonë se nuk mund ta ndalojnë. Familjarët janë shprehur “ne po bëjmë përpjekje por është e pamundur ta kontrollojmë, thjesht me mbajt me e lidhë dhe ta menaxhojmë gjithë ditën””, shprehet ajo.

Drejtoresha tregon se për rastin ka njoftuar me email DKA-në e Policinë dhe se nuk është vetëm kjo shkollë të cilën e frekuenton ai.

“E dyta, unë kam dërguar email zyrtar edhe te DKA, edhe Policisë e të gjithëve. Nuk është e vetmja shkollë “Gjergj Fishta” ku ai e frekuenton, por të gjitha shkollat që janë në një perimetër rreth banimit të tij”, thekson Zhitija për Gazeta Blic.

Më tej, ajo tregon te dera e jashtme e shkollës nuk kanë kapacitete ta menaxhojnë që të mos e lejojnë të futet brenda.

“E treta, prindërit i kemi njoftuar me shkrim për orarin e mbikëqyrjes së tyre të orarit të shkollës të hyrjes, që është personi përgjegjës që i menaxhon dyert. Nxënësit kanë dhe orë të edukatës fizike që dalin jashtë të luajnë, të kryejnë aktivitete jashtë klasës dhe brenda e kontrollojmë. Por te dera e jashtme nuk kemi kapacitete dhe nuk kemi mundësi ta menaxhojmë, aty deri në oborr hyjnë edhe prindërit për t’i sjellë fëmijët”, shpjegon drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”.

Po ashtu, ajo thotë se ka pasur raste kur e kanë thirrur Policinë, ku në disa raste ai u ka ikur atyre dhe se edhe në takimin e sotëm me Policinë, nga këta të fundit u është thënë se është jo lehtë e menaxhueshme.

“Ne e kemi thirrur shumë herë policinë kur e kemi parashikuar se ai mund të jetë eventualisht pengesë dhe kanë ardhur. Ka pasur raste kur kanë ardhur e kanë marrë por ka pasur raste edhe kur ju ka ikur. Kështu që, kemi të bëjmë me një situatë të tillë, madje edhe sot kur biseduam me policinë, thanë se nuk është lehtë e menaxhueshme kur kemi të bëjmë me një person me nevoja të veçanta”, thekson Zhitija për Gazeta Blic.

Si masë sadopak lehtësuese ajo cek se ai nuk acarohet nëse personat sillen mirë me të por që thotë se sidomos nxënësit e vegjël kanë frikë nga ai, teksa shton se Policia e ka marrë dhe në mbajtje atë por më pas e kanë liruar.

“Në anën tjetër, ne kemi pasur rast një anë tjetër të them kushtimisht lehtësuese se ai nuk acarohet nëse ndaj tij janë të mirësjellshëm të tjerët. Mirëpo, nuk garantojmë se nuk mund të jetë i paparashikueshëm. Nuk kemi pasur raste që nuk kemi mundur t’i menaxhojmë sepse nxënësit sidomos më të vegjlit e kanë fobi dhe atij nuk i pëlqen ajo ndjenjë që ta krijojë atë paraqitje. Ndërsa nxënësit që janë paradite, më të rritur, ata e njohin dhe sillen mirë ose tërhiqen. Edhe arsimtarja e edukatës fizike i di rregullat kur është ai, i mbledh nxënësit ngadalë dhe i fut brenda në objekt të shkollës. Ka pasur raste kur të gjithë jemi mobilizuar dhe me bisedë të qetë derisa e kemi larguar jashtë kufijve të shkollës, e mandej është kompetencë e policisë. Por edhe ata e kanë marrë në mbajtje dhe mandej procedurat tjera nuk kanë vazhduar”, deklaron drejtoresha.

Fatmirësisht, ajo thotë se nuk ka pasur raste që janë sfiduar dhe lutet të mos ketë pasoja, derisa thekson se nga Policia kanë marrë premtim për trajtim të kësaj çështje.

“Fatmirësisht deri tash nuk kemi pasur situata që na kanë sfiduar dhe thjesht lutem që të mos sfidohemi dhe të merremi me pasoja. Me policin që kam biseduar sot, e kemi ngritur në top prioritet këtë çështje, si rrezikshmëri të lartë nëse nuk ndërmerren hapa konkretë dhe ai na premtoi se do të ftohemi si shkolla të perimetrit të caktuar që të jetë policia dhe ta kemi një kërkim dhe t’i ndajmë përvojat më të mira”, thotë drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, Supije Zhitija./Gazeta Blic/