Lajme

Bajrami-Kurtit: Qeveritë e kaluara e kanë zhvilluar këtë vend, propaganda juaj nuk kalon

05/14/2023 17:10
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti i cili tha se sipas Bankës Botërore, Kosova ka rritur të ardhurat për frymë për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%, krahasuar me 10 vjet më parë, raporton GazetaBlic.

Bajrami përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se Banka Botërore tregoi se Kosova ka bërë progres dekadën e fundit dhe jo dy vitet e fundit.

Sipas Bajramit, dy vite të Qeverisë Kurti në pushtet janë veç eksperiment dhe nuk po sjellin progres.

Bajrami shton se duhet pranuar që Qeveritë e kaluara e kanë zhvilluar këtë vend.

Shkrimi i plotë:

Propaganda nuk kalon!

Banka Botërore po thotë që Kosova ka bërë progres dekadën e fundit, nuk po thotë që Kosova ka bërë progres dy vitet e fundit.

Andaj në vend që t’i deformoni deklaratat dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare si këtë të Bankës Botërore, është mirë të pranoni që megjithatë qeveritë e kaluara e kanë zhvilluar këtë vend. Që dy vite është radha juaj dhe eksperimentet e juaja veç progres s’po i sjellin vendit.

Se sa zhvillim po bën qeveria mjafton të shihni raportet e vetë Qeverisë. Raporti financiar i tremujorit të parë të këtij viti thotë se qeveria ka shpenzuar mbi 207 milionë euro për subvencione dhe vetëm 40 milionë euro për investime kapitale.

Politikat e lëmoshës nuk na shpien gjenkundi, andaj lerëni propagandën e nisjani punës!

Raporti i Bankës Botërore, Lushaku Sadriu thotë se Kurti po i mashtron qytetarët