Google ka njoftuar të mërkurën se e ka hapur Bard-in, rivalin e ChatGPT-së së mbështetur nga Microsoft-i, në 180 vende të botës, teksa po e zgjeron përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA) nëpër platformën e vet.
Drejtorët në një konferencë të përvitshme të zhvilluesve të Google-it, në Luginën e Silikonit, në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), thanë më 10 maj se Inteligjenca Artificiale gjeneruese do të përdoret, po ashtu, për ta fuqizuar motorin e kërkimit të gjigantit të teknologjisë.
“Ne jemi duke aplikuar IA-në qe një kohë, dhe me IA-në gjeneruese ne po e ndërmarrim hapin e radhës”, ka thënë shefi ekzekutiv i Google-it, Sundar Pichai, para mijëra zhvilluesve.
“Ne po i riimagjinojmë të gjitha produktet tona thelbësore, përfshirë kërkimin”, është shprehur ai.
Google po nxiton për ta zënë hapin me rivalin e tij, Microsoft, i cili ka vepruar shpejt për të integruar fuqi të ngjashme me ato të ChatGPT-së në një varg produktesh të veta, përfshirë motorin e kërkimit Bing.
Përfshirja e Microsoft-it në fushën e IA-së ndodhi pavarësisht frikës për rrezikun potencial të teknologjisë ndaj shoqërisë, përfshirë ndikimin e saj në përhapjen e dezinformatave dhe gjasat që ajo të zhdukë kategori të tëra punësh.
Cathy Edwards nga Google Search ka thënë se përvoja e re do të jetë e ngjashme me atë të një kërkimi të “fuqizuar” nga një robot bisedues.
Drejtorë të tjerë të Google-it treguan se si IA-ja gjeneruese po inkuadrohet në Gmail, në përpunimin e fotografive dhe në mjetet online të punës.
Përpjekjet e kompanisë në fushën e IA-së do të bëhen në një mënyrë “të guximshme dhe të përgjegjshme”, ka thënë drejtori i lartë i produkteve, Jack Krawczyk.
Zgjerimi i Google-it përfshin heqjen e një liste pritjeje për Bard-in, lejimin e përdoruesve nëpër botë që të komunikojnë me të në gjuhën angleze, pas disa muajsh testime në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.
Bard-i do të modifikohet për të mbështetur 40 gjuhë, gjatë muajve të ardhshëm, ka njoftuar Krawczyk.
“Jemi shumë të lumtur që po e çojmë Bard-in në duart e më shumë njerëzve”, është shprehur ai.
Google ka njoftuar, po ashtu, “shtesa” për shfletuesit e internetit, që do t’i pajisin aplikacionet dhe shërbimet si Gmail dhe Maps me veçoritë e IA-së.
Teknologjia prapa Bard-it do të mundësojë veçori si plotësimi i tekstit për shkrimin e mesazheve elektronike, dhe sugjerimi i ideve për vepra arti, duke analizuar një fotografi të mjeteve në dispozicion.
Google ka vendosur, gjithashtu, t’u lejojë partnerëve të ndërtojnë “shtesa” të tilla, përfshirë një nga Adobe, i cili do t’u mundësojë përdoruesve gjenerimin e fotografive, ka thënë Krawczyk.
Teknologji e rrezikshme?
Njoftimi i Google-it u bë një javë pasi rivali Microsoft zgjeroi qasjen e publikut në programet e veta të Inteligjencës Artificiale gjeneruese, të cilat fuqizohen nga modelet e ndërtuara nga OpenAI, kompania që qëndron prapa ChatGPT-së.
“Ky mund të jetë moment përcaktues në betejën për IA-në, teksa Google dhe Microsoft po garojnë kokë më kokë për hise në treg”, ka thënë analisti nga firma e investimeve Wedbush, Dan Ives, në një letër dërguar investitorëve.
Investimi i hershëm i Microsoft-it në OpenAI i ka dhënë atij një epërsi në garën me Google-in, i cili tani po vrapon për të zënë hapin, ka shtuar analisti.
Veçoritë e fuqizuara nga IA-ja të motorit të kërkimit të Microsoft-it, Bing, dhe të shfletuesit të internetit të Microsoft-it, Edge, së voni janë hapur për të gjithë.
Shërbimet janë avancuar, me aftësinë për të punuar me fotografi, përveç me tekst, ndërsa Microsoft synon t’i fusë në mes edhe videot.
Pavarësisht aktivizimeve nga dy prej kompanive më të mëdha në botë, rreziqet nga IA-ja përfshijnë përdorimin potencial të saj për dezinformim, teksa është bërë i mundshëm klonimi i zërit, riprodhimi i imazhit dhe shkrimi i falsifikuar bindës i mesazheve.
Një varg ekspertësh, në muajin mars, bënë thirrje për pezullim të zhvillimit të sistemeve të fuqishme të IA-së, për t’u siguruar që ato janë të sigurta.
Letra e tyre e hapur, e nënshkruar nga më shumë se 1.000 persona, përfshirë miliarderin Elon Musk dhe bashkëthemeluesin e Apple-it, Steve Wozniak, u nxit nga teknologjia e Inteligjencës Artificiale gjeneruese të firmës OpenAI, që mbështetet nga Microsoft-i.
Një shkencëtar i shquar kompjuterik, i cilësuar si “babai i Inteligjencës Artificiale”, së voni ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në Google, për të folur për rreziqet e teknologjisë.
Geoffrey Hinton, i cili ka krijuar disa prej teknologjive themelore të sistemeve të IA-së, ka deklaruar se rreziku ekzistencial nga IA-ja është “serioz dhe i afërt”. (Rel)