Lajme

“Asociacioni pa kompetenca ekzekutive dhe vetëm sipas Kushtetutës – deklarata e Konjufcës për konsum të brendshëm”

05/09/2023 17:57
nga:G B

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha dje se Kosova duhet të largohet nga dialogu dhe t’i thotë atij mirupafshim, nëse Asociacioni nuk do të jetë sipas Kushtetutës.

Lidhur me këtë, ish deputeti i LDK-së, njëherësh anëtar i kësaj partie, Naser Rugova, thotë për Gazeta Blic se asnjë lloj Asociacioni nuk duhet të prekë kushtetutshmërinë dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe se liderët e shtetit duhet ta mbrojnë rendin kushtetues të vendit.

“Është obligim i liderëve institucional që të mbrojnë rendin kushtetues të shtetit tonë. Me kushtetutshmërinë dhe rendin kushtetues nuk guxon askush të luajë. Nuk mundet asnjë lloj Asociacioni për cilindo qëllim qoftë të prekë kushtetutshmërinë dhe rregullimin e brendshëm të shtetit tonë. Këtu mbyllet qarku i secilës negociatë. Janë gjëra që nuk negociohen sepse preket shtylla kurrizore e shtetit tonë”, thotë ai.

Sipas Rugovës, pala kosovare në dialog duhet të jetë konsistente dhe e pakompromis në atë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe të jetë sipas Kushtetutës.

“Kjo situatë vetëm se është temë e nxehtë dhe delikate në mes të dy shteteve, sigurisht që kanë pikëpamje diametralisht të kundërta. Por pala kosovare duhet të jetë konsistente dhe e pakompromis në atë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se do të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës”, vlerëson ish deputeti i LDK-së për Gazeta Blic.

Ai shton se zyrtarë të lartë të BE-së e SHBA-ve kanë thënë se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe se nuk duhet të ketë.

“Ka pasur komunikim zyrtar nga ish-zyrtarë të lartë të BE-së Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe do të jetë sipas normave kushtetuese të Republikës së Kosovës. Edhe diplomatë të lartë amerikanë kanë deklaruar të njëjtën gjë. Lajçak por edhe diplomatët e tjerë të BE-së e dinë mirë këtë. Jashtë këtyre konturave nuk ka dhe nuk guxon të ketë Asociacion”, deklaron Naser Rugova.

Kurse, analisti Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se nuk mund të ketë largim të Kosovës nga dialogu dhe se deklarata e Konjufcës është për konsum të brendshëm, për të ruajtur fytyrën, pasi Asociacioni tashmë është pranuar nga Qeveria.

“Nuk mund të kemi mbyllje apo largim të Kosovës nga dialogu me Serbinë, sepse Asociacioni në parim është pranuar nga Qeveria e udhëhequr nga LVV, por, deklarimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, po bëhet më tepër për konsum të brendshëm dhe për të ruajtur fytyrën, përmes një distancimi personal. Tashmë dihet se Asociacioni do të jetë një autonomi për serbët, ketë e di edhe z.Konjufca se nuk po zhvillohen negociatat për Asociacion të tipit OJQ-së”, thotë ai.

Se sa do të ndikonte largimi i mundshëm i Kosovës nga dialogu në raportet Kosovë-Serbi, analisti thotë se do të ishte vetëvrasje politike për VV-në e Qeverinë e Kosovës.

“Tërheqja nga dialogu në këtë fazë do të ishte vetëvrasje politike për LVV-në, si Qeverinë e Kosovës, pasi që Kosova ndodhet në finale të zgjidhjes afatgjate të mosmarrëveshjes politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaron Arbnor Sadiku.

Ndryshe, sot zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim kryeziu, ka thënë për Gazeta Blic se kryeministri Albin Kurti ka propozuar për Asociacionin modelin e Kroacisë./Gazeta Blic/

 

Zëdhënësi i Qeverisë: Kurti propozoi modelin e Kroacisë për Asociacionin – referencë e duhur për rrugën përpara me Serbinë