Në fjalën e tij përfundimtare përfaqësuesi i paditësit B.I, avokat Fadil Sinanaj ka kërkuar nga gjykata që të detyrojë Komunën e Gjilanit t’ia shpërblejë dënim jo material në shumën prej 15 mijë euro me kamatë ligjore prej 8 % që nga dita e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, kjo për shkak të ndërrimit të vendit të punës në mënyrë të padrejtë.
Në seancën e së hënës të mbajtur në Departamentin për Çështje Administrative pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, paraprakisht avokati Sinanaj bëri precizimin e kërkesëpadisë, ashtu që në vend të datës 1 shkurt 2022 tani e tutje të jetë data 12 janar 2021 si dhe në vend të shumës 10 mijë euro në emër të dhimbjeve shpirtërore tani e tutje të jetë shuma në vlerë prej 15 mijë euro.
Sinanaj gjithashtu deklaroi se ekspertizën mjekësore-psikiatike e kanë pranuar, duke shtuar se të njëjtën nuk e kontestojnë dhe meqë nuk janë të fushës mjekësore kërkoi nga ekspertja që në pika të shkurta të e elaboroj ekspertizën në fjalë.
Ndërsa, përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës Komuna e Gjilanit, Burim Maliqi theksoi se e kundërshtojnë në tersi padinë dhe precizimin e saj dhe njëherit mbesin pranë përgjigjes në padi të datës 4 tetor 2021.
Sa i takon ekspertizës mjekësore- psikiatrike Maliqi deklaroi se e kanë pranuar ekspertizën, të cilën tha se e kundërshtojnë, duke kërkuar nga ekspertja që ta elaborojë ekspertizën e punuar.
Lidhur me ekspertizën psikiatrike ekspertja Valbona Blakaj në seancën e sotme deklaroi se qëndron në tersi si në ekspertizën e punuar me datë 12 shkurt 2022, duke e elaboruar të njëjtën në pika të shkurta.
Ekspertja tha se mendimin e ka bazuar në ekzaminim e drejtpërdrejtë psikiatrik të palës paditëse, në shkresat e lëndës si dhe dokumentacionin mjekësor psikiatrik prezent.
Bazuar në të gjeturat e njëjta theksoi se ka konstatuar që paditësi ka përjetuar dhembje shpirtërore me intensitet të lartë, të njohura si vuajtje, në kohëzgjatje prej 72 orë, e cila hyn në kuadër të reaksionit akut në stres e që për ta sqaruar është gjendje e cila shfaqet si reagim ndaj një stresori të rendë mendor apo fizik e cila zakonisht fillon disa minuta pas përjetimit të këtij stresori e që mund të zgjas deri në disa ditë.
Sipas ekspertes Blakaj dhembjet shpirtërore të intensitetit të mesëm në kohë zgjatje prej 4 jave apo një muaj janë përjetime të cilat i ndjenë individi në momentet e ndërrimit të pozitës sociale pasi ka kaluar periudha e reaksionit akut në stres.
Ekspertja Blakaj tha se sa i përket dhembjeve shpirtërore të intensitetit të ulët kanë qenë të herë pas hershme deri në momentin e ri transferimit në vendin e tij të punës, ku paditësi gjatë asaj periudhe ka shfaqur vështirësi në adaptime me atë situate meqenëse nuk ka qenë sipas tij konform përgatitjes së tij profesionale andaj edhe është ndje i nënçmuar dhe i përulur .
“Në momente të tilla do të thotë se ka ndje parehati dhe shqetësim për diçka që sipas tij nuk ka pas të bëj me mospunën e tij, por sipas tij ka qenë e padrejtë”, tha për paditësin e njëjta.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e të autorizuarit të të paditurës, ekspertja Blakaj deklaroi se me paditësin ka pasur vetëm një seancë e cila ka zgjatë aq sa të sqarohen të gjitha dilemat për përpilimin e ekspertizës.
Sipas saj, gjendjen emocionale e shpreh vetë individi dhe po ashtu ndjenjat e veta, në rastet e tilla ato korrespondojnë edhe me të gjitha të gjeturat në shkresat e lëndës, pra për momente të caktuara kohore për të cilat individi shprehë ndjenjat e veta si pakënaqësi, stres, etj.
Po ashtu në rastin konkret paditësi i ka paraqitë edhe dy raporte psikiatrike me diagnoza të çrregullimit të stresit akut, me ç’ rast i është përshkruar edhe terapi medikamentoze.
Pas deklarimeve të tilla, janë administruar provat materiale nga gjykatësja e rastit Vjollca Limani, raporton” Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, në fjalën e tij përfundimtare i autorizuari i paditësit B.I, avokat Sinanaj kërkoi nga gjykata që të aprovojë në tersi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit dhe ta detyrojë të paditurën që paditësit t’ia shpërblejë dënim jomaterial në shumën prej 15 mijë euro me kamatë ligjore prej 8 % që nga dita e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive pasi që sipas tij pas administrimit të provave është vërtetuar themelësia e kërkesë padisë.
Ndërsa, përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës Komuna e Gjilanit , Burim Maliqi deklaroi se edhe mbesin pranë përgjigjes në padi si dhe thënieve të deklaruara në këtë seancë më të cilin e kundërshtojnë në tersi padinë, kërkesë padinë dhe precizimin e saj duke kërkuar njëherit nga gjykata që të njëjtën ta refuzojë si të pabazuar në ligj.
Në rrethana të tilla, seanca e sotme ka përfunduar dhe gjykimi lidhur me këtë rast është mbyllur.
Ndryshe, sipas precizimit të padisë të bërë në prill të vitit 2023, paditësi B.I. ka kërkuar nga gjykata që të obligojë të paditurën (Komuna e Gjilanit), më saktësisht Drejtorinë për Urbanizëm Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit që në emër të kompensimit të dëmit jo material të i kompensojë të njëjtit shumën prej 15 mijë euro.
Sipas padisë, kjo për arsye se me anë të sjelljeve të pamatura, paditësit i ka shkaktuar dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë, të mesëm dhe të ulët për shkak të kufizimit në ushtrimin e profesionit, shkeljes së nderit, dëmtimit të integritetit, rrënimit të prestigjit, dëmtimit të imazhit dhe reputacionit.
Ndërkaq, sipas padisë së ushtruar më 7 shkurt 2019, paditësi kishte kërkuar nga gjykata që të lejohet masa e përkohshme e sigurimit dhe të urdhërohet Komuna e Gjilanit që të mos zbatojë masën disiplinore të datës 13 dhjetor 2018, me të cilën masë është vendosur që paditësi të largohet nga zyra dhe të transferohet në një zyre tjetër me detyra të ngjashme .
Përndryshe, për këtë rast Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 24 dhjetor 2020 kishte nxjerrë vendim më të cilin ka aprovuar ankesën e paditësit dhe ka shfuqizuar masën e lartcekur.


