Lajme

Presidentes i kërkohet ta ndajë titullin “Nderi i Republikës së Kosovës” për profesorin Rifat Gjota

05/06/2023 21:45
nga:Y I

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i ka dërguar një letër-rekomandim presidentes Vjosa Osmani, që ta ndajë titullin “Nderi i Republikës së Kosovës” për profesorin dhe shkencëtarin, Rifat Gjota.

Siç thuhet në letër, kontributi i Gjotës si profesor në Universitetin e Prishtinës, është veçuar me përkushtimin e tij në punën pedagogjike dhe punën me studentë, e veçmas në hulumtimet shkencore dhe origjinalitetin e tyre.

“Kontributi i tij në shkencë është kurorëzuar me dy patente ndërkombëtare në lëmin e makinave elektrike të titulluar “Makinat elektrike me pështjella komplementare”.

Që nga rinia e tij e hershme e deri në pensionim në Universitetin e Prishtinës, është veçuar për vlera kombëtare dhe patriotike, angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe afirmimin e kombit shqiptar në botë”, thuhet ndër të tjera në letrën e rektorit Qerimi.

Profesori Rifat Gjota ka ndërruar jetë më 17 janar 2022, në moshën 82-vjeçare.

Por, kush ishte Rifat Gjota?

Rifat Gjota ishte zbulues shqiptar, i lindur në Pejë më 5 maj 1939 në një familje të njohur zejtare.

Shkollën fillore dhe gjimnazin e kishte kryer në vendlindjen e vet, ndërsa në vitin 1965 kishte diplomuar në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Shkupit.

Gjota po ashtu kishte kryer magjistraturën në vitin 1977 në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, kurse në vitin 1985 kishte doktoruar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës.

Ai ishte ndër profesorët më të vjetër në Fakultetin e inxhinierisë elektrike në Prishtinë.

Mbi njëzet vjet punoi në zbulimin e elektromotorit, i cili kursente energjinë elektrike në përqindje të konsiderueshme, sikurse edhe sasinë e bakrit të nevojshëm për ndërtimin e tij.

Zbulimet e veta i kishte pantenuar në Amerikë me emrin “US Patent 4710661 – Winding arrangement of a stator and/or rotor of a three-phase generator or electromotor with improved performances”, kurse mënyra e ndërtimit të këtyre elektromotorëve u quajt “rifatizim”.

Në vitin 2005 botoi librin “Makinat Elektrike Komplementare-Komplekse“. Kontrata për ndërtimin e këtyre motorëve është nënshkruar me firmën boshnjake “Elir” nga Tuzlla.

Zbulimi i fushave elektromagnetike rrotulluese komplementare, nga ana e Dr Rifat Gjotës e ka plotësuar edhe më tutje shkencën e fushave elektromagnetike rrotulluese.

Kështu është hapur një shteg të ri për mënyrën e pështjelljes së makinave elektromagnetike rrotulluese. Esenca e zbulimit të Dr Rifat Gjotës qëndron në plotësimin me një pështjellë shtesë të defazuar për 90 shkallë në hapësirë dhe në kohë.

Me këtë arrihet zvogëlimi i forcave të harmonikeve të kundërta d.m.th se lakorja e fushës rrotulluese i afrohet më tepër ideales. Kjo në praktikë i bie kursim i mbi 5% të energjisë.

Puna e Gjotës në lëmin e Sferizimit është gjithashtu i rëndësishëm dhe hap një kapitull të ri në studimet matematikore e hapësinore.