Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ka arritur një sukses të madh me skuadrën e Napolit duke arritur të bëhet kampion i Italisë në Serie A.
Skuadra e Napolit arriti që pas 33 vitesh ta fitoi kupën e Serie A, kurse Rrahmani ishte pjesë kyçe e skuadrës duke u paraqitur 25 herë me Napolin në ligën italiane ku shënoi edhe dy gola.
Trajneri kosovar, Tahir Lushtaku i cili e kishte nën urdhërat e tij, Rrahmanin gjatë kohës kur ky luante te ekipi kosovar, Drenica foli për ‘GazetaBlic Sport’ ku tregoi se gjatë kohës kur ai ushtronte Rrahmanin kishte parë cilësi të mëdha te ai.
“Realisht, në moshën të cilën ka qenë Amiri si 18 vjeçar ende nuk kishte 19 kur unë kam punuar me të një vit sa kam qenë unë trajner ai ishte futbollist. Kam vrejtur te ai që atëherë shumë gjëra pozitive, ndër më të rëndësishmet ishte se ishte shumë punëtor, që në moshë të re ishte një profesionist shumë i madh dhe shumë herë u kam thënë edhe futbollistëve tjerë që Amiri duhet të merret shembull sepse vetëm me punë ka arritur aty ku është sot, një karrierë që është për t’u admiruar dhe për t’u duartrokitur. Ka qenë një djalë pa përvojë të madhe, por me punë dhe diciplinë shumë të madhe. Ka pasur vullnet pavarësisht kushteve që ka luajtur te Drenica me një pagë shumë të ulët, por motivi nuk i ka munguar asnjëherë në stërvitje. Kështu e kam parë që Amiri do ketë një të ardhme shumë të mirë, pavarësisht se shumë koleg ishin skeptik për të unë gjithmonë kam besuar që do ketë një karrierë të pasur, ndoshta nuk e kam imagjinuar që do të arrijë majat si e bëri tani me Napolin, por isha i sigurtë që do ketë karrierë të bujshme“, tha fillimisht Lushtaku për GazetaBlic Sport.
Lushtaku ka përshkruar edhe ngjitjen graduale të Rrahmanit në karrierë duke thënë se ai mori vendimet e duhura në karrierë duke bërë avancime graduale.
“Ka qenë i kompletuar që nga karriera e tij te Drenica, e ka bërë një përvojë të mirë këtu, shkoi te Partizani ku mori një eksperiencë pak më të madhe që e ndihmoi të transferohet në Kroaci dhe tash në Itali. Mendoj që Amir Rrahmani ka punuar dhe shkallë pas shkalle i ka arritë të gjitha këto vetëm me punë dhe motivin dhe përultësinë e tij. Pavarësisht se sa ka arritur në karrierë ai asnjëherë nuk ndaloi duke punuar dhe mendoj që çelësi i këtij suksesi të tij është puna profesionale që ka bërë ai“, shtoi ai.
Trajneri kosovar, foli edhe për transferimet e lojtarëve që po bëhen nga Superliga e Kosovës në klubet evropiane duke thënë që pavarësisht numrit të vogël të lojtarëve që po e arrijnë këtë, ky është sinjal për të tjerët që me punë arrihet çdo gjë.
“Është grupi i vogël i lojtarëve që po arrijnë të kalojnë nëpër ekipe të mëdha evropiane, ndoshta kushte dhe mundësitë janë më të kufizuara te klubet tona në Superligë. Duhet të pranuar që ende jemi larg klubeve evropiane në aspektin e organizimit të klubeve, pasi mendoj që trajnerët bëjnë punën maksimale në bazë të kushteve që kanë, dhe për këtë nuk kam dyshim që trajnerët mundohen të japin punën maksimale, por problemi qëndron te kryesitë dhe klubet. Ndoshta janë 3-4 ekipe që janë pak më mirë të organizimit, por pjesa më e madhe e ekipeve janë për keqardhje. Por pavarësisht kësaj po ka futbollistë që me punë i kanë arritë të gjitha këto. Kemi rastin e Ermal Krasniqit, Arbnor Mujës e më herët edhe të Muriqit e të tjerëve“, përfundoi Lushtaku për ‘GazetaBlic Sport’.


