Lajme

Azemi: LDK është alternativa e vetme, na pret shumë punë

05/05/2023 20:08
nga:Y I

Lidhja Demokratike e Kosovës ka festuar 33-vjetorin e themelimit të degës në Ferizaj.

Para aktivstëve, anëtarëve dhe mbështetësve, kryetari i kësaj dege, Visar Azemi, ka shprehur falënderime ndaj tyre për kontributin dhe ka ftuar për angazhim të mëtejmë.

Në këtë tubim festiv të LDK-së, Azemi tha se kjo parti është e para jo veç për nga data e themelimit, por edhe për kontributin e rëndësinë që pati për lirinë, pavarësinë e shtetndërtimin pë më shumë se tre dekada.

“Janë 33 vite punë, angazhim e përkushtim i mijëra aktivistëve që ideale kishin lirinë e pavarësinë e Kosovës, demokracinë e vlerat evropiane, miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë”, tha ai para të pranishmëve.

Tutje, kryetari i LDK-së në Ferizaj, Azemi, tha se është e domosdoshme të ruhet filozofia e kësaj partie dhe të ketë sa më shumë punë e angazhim për fuqizimin e saj.

“Na duhet të jemi pranë qytetarëve. T’i dëgjojmë hallet, brengat e problemet e tyre. Bashkë me ta, t’iu japim zgjidhje. Sepse vetëm ne kemi platformë. Vetem ne jemi alternativë. Dhe vetëm ne i kemi njerëzit që e kanë dijen, vullnetin e përgjegjësinë për të zgjidhur probleme e për të kryer punë”, tha ai ndër të tjera.