Lajme

Selmanaj i LDK-së: Nga papërgjegjshmëria e Kurtit, Kosova po njihet si një vend që mund të nxisë luftë

05/05/2023 21:06
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim në veriun e Kosovës.

Këto kritika i ka bërë në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, ku theksoi se nga sjellja e papërgjegjme e Qeverisë Kurti, Kosova trajtohet si një vend që mund të nxisë luftë.

“Mënyra se si kryeministri Kurti ka zgjedhur të punojë me SHBA-të dhe aleatët ndërkombëtar është gabim. Së fundmi është angazhuar Escobari. Pse erdhëm këtu, qysh nga një vend i cili pas 23 vitesh të çlirimit dhe pas 15 vitesh të pavarësisë, akoma trajtohemi si një vend potencialisht i cili mund të nxisë luftë. Kjo për shkak të situatës në veri që ka ardhë nga sjellja e papërgjegjshme e Qeverisë Kurti”, tha Selmanaj.

Selmanaj thotë se veprimet e Qeverisë “quan ujë në mulli të Serbisë”

“E gjitha çfarë ndodhi në veri është nga keqmenaxhimi, është qasje e papranueshme e politikës. Krijimi i një imazhi të keq për Kosovën i konvenoi vetëm Serbisë. Veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, kanë qu ujë në mulli të Serbisë. Kosova jashtë nuk transmetohet si një storie suksesi, zhvillimi, si një storie që ka stabilitet”, tha Selmanaj.

Selmanaj ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ku shprehet skeptik për këtë çështje.

“Nëse shkojmë me një ide si të kryeministrit, nëse prishim rendin tonë Kushtetues atëherë çka na duhet integrimi, çka na duhet nëse ne pjesën e veriut e humbim krejt. Këto janë çështje që duhet parë nga shumë këndvështrime. Pra, qasja e Kurtit ka qenë nga fillimi gabim dhe fatkeqsisht është edhe më tutje gabim, ky kryeministër si duket nuk ka arritë ta kuptojë qartë sensibilitetin që ka ajo problematik në veri”, tha Selmanaj në Blic Intervieë.

Tutje, Selmanaj komentoi edhe punën e Qeverisë Kurti në këto dy vite për të cilën thotë se ka vetëm fjalë negative, në çdo sektor.

“Vlerësimi për punën e Qeverisë Kurti është shumë negativ, unë në asnjë sferë të jetës nuk arrijë të gjejë së paku një punë të tyre. Do ta dëshiroja shumë të kem fjalë suksesi për këtë Qeveri. Fatkeqësisht, paaftësi. Në sektorin e ekonomisë, energjisë, drejtësisë, shëndetësisë jemi keq”, thotë Selmanaj.

Selmanaj shtoi se, pritjet nga Qeveria Kurti i kishte të mëdha duke u bazuar në diskursin që e kishin ndërtuar gjatë kohës në opozitë.

“Ajo çka unë kam prit nga kjo qeveri, është që së paku në kulturën e demokracisë, në kulturën e luftës kundër korrupsionit të ketë rezultate. Këtë e kam prit për arsye të diskursit shumë të madhë që e patën ndërtuar, por me rastin në KEK, me rastin e ambasadorit Berishaj, me rastin se si këta iu kanë sulur institucioneve të pavarura të drejtësisë, këta treguan që nuk e dëshirojnë rendin jurdik kushtetues, por e duan vetëm pushtetin”, tha Selmanaj në Blic Interview.