Dje në Bruksel u mbajt takimi i nivelit të lartë në mes të Kosovës e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u pajtuan për deklaratën për të zhdukurit me forcë, ndërsa që në takim u prezantua edhe draft-statuti i Asociacionit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues.
Por, ky ekip u shkarkua sot nga ministri i MAPL, Elbert Krasniqi.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiç, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviç”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Kurti tha se drafti i përpiluar nga ky ekip është dëshirë e Serbisë për krijimin e një Republika Sërpska në Kosovë.
Lidhur me këtë, analisti politik Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se Kurti nuk e ka shkarkuar ekipin menaxhues, që të mos i prishte raportet me ministrin e tij Goran Rakiç.
“Kryeministri Albin Kurti nuk e ka shkarkuar ekipin menaxhues të propozuar nga Goran Rakiç që mos t’i prishte raportet me ministrin e tij, për të cilin atëbotë deklaronte se “është konstruktiv në barrikada”!? Deputetja e ‘Skupstina-s’ serbiane, Vujiçiç – tash e hetoi edhe Kurti – ishte në konflikt të hapur Interesi me postin, sepse ishte betuar para një Kuvendi që nuk e njeh shtetin kosovar dhe e trajton si territor të Serbisë”, vlerëson analisti.
Sipas tij, sipas pikës 10 të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, Qeveria sërish duhet ta emërojë një Ekip Menaxhues nga katër serbë të komunave të veriut të Kosovës.
“Por, Qeveria sipas pikës 10 të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, sërish duhet ta emërojë një Ekip Menaxhues (sipas marrëveshjes së parë, 2013) nga katër serbë të komunave të veriut kosovar. Por ato/ata duhet të jenë lojal ndaj Republikës së Kosovës, ngase Asociacioni si e drejtë burimore rrjedh nga konstitucioni kosovar, nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e jo nga Kushtetuta e Serbisë”, potencon Matoshi për Gazeta Blic.
Ai thekson se statuti i Asociacionit duhet të shkruhet edhe nga kosovarët, ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e më pas nëse kalon, duhet të dekretohet nga Qeveria në Kuvendin themelues të katër komunave në veri, për çka duhen zgjedhje të reja në afat prej 3-4 muajsh.
“Së këndejmi Statuti duhet të shkruhet në Kosovë dhe nga kosovarët – ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me dakordim të Serbisë, sipas Marrëveshjes së vitit 2015 dhe nëse kalon, Qeveria e Kosovës e dekreton Asociacionin, pa e negociuar me Beogradin, Kuvendi themelues i të cilit përbëhet nga asambleistët e zgjedhur të katër komunave të veriut të Kosovës. Pra, për këtë duhen zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme në veri, në afat optimal, prej tre-katër muajsh”, deklaron Halil Matoshi.
Ndërsa, Nol Nushi nga PSD, thotë për Gazeta Blic draft statuti i Asociacionit nga Ekipi Menaxhues, ashtu siç pritej u bë dje dhe është bazë e mirë dialoguese.
“Puna për formimin e Asociacionit. Pas marrëveshjes së Ohrit, prezantimi i statutit nga Ekipi menaxhues ka qenë ajo që pritej. Ky draft statut u prezantua. Dhe, sipas Borrell, kjo do të jetë një bazë e mirë dialoguese”, thotë ai.
Andaj, Nushi vlerëson se shkarkimi i ekipit nuk ka efet, pasi dëmi është bërë dhe këto veprime të Qeverisë janë vetëm për të krijuar huti te opinioni.
“Prandaj shkarkimi i këtij ekipi tashmë nuk ka kurrfarë efekti, sepse dëmi nga ai ekip veçse është bërë. Këto veprime të qeverisë janë vetëm sa për të hutuar opinionin, përderisa vazhdojnë punën intensivisht për krijimin e asociacionit”, vlerëson Nol Nushi për Gazeta Blic.
Në anën tjetër, analisti politik Gazmir Raci, deklaron për Gazeta Blic se shkarkimi i Ekipit Menaxhues është bërë pasi drafti i prezantuar nga ai nuk ka qenë në harmoni me mandatin e tyre dhe në konflikt me rendin kushtetues të Kosovës.
“Sepse kanë propozuar draft jo në harmoni me mandatin që e kanë pasur dhe në konflikt të hapur me rendin kushtetues që ka Kosova. Kosova ka dy nivele të qeverisjes, nacional dhe lokal dhe ky shtet multietnik nuk pranon diçka që e prishë kohezionin shumë etnik”, thotë Raci./Gazeta Blic/


