Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, është deklaruar për lirimin nga detyra nga Qeveria e Kosovës, të Ekipit Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit.
Ajo këtë e quan tentativë të re të qeverisë, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve nga ajo për çka janë pajtuar dje palët.
“Lirimi nga detyra e ekipit menaxhues për hartimin e draft-statusit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe është një tentativë e re e qeverisë për të shpërqendruar vëmendjen e qytetarëve nga takimi i djeshëm dhe ajo për çfarë janë pajtuar”, thotë ajo.
Krasniqi vlerëson se qeveria po synon të hedhë diku tjetër përgjegjësinë për dëmin ndaj vendit, por që janë përpjekje të kota.
“Synimi i tyre është për të hedhur përgjegjësi diku tjetër për dëmin që po ia shkaktojnë vendit, por këto janë përpjekje të kota të tyre sepse qytetarët e njohin tashmë realitetin e kësaj qeverie dhe e din të vërtetën e saj”, thekson deputetja e LDK-së për Gazeta Blic.
Se sa do të ndikojë kjo në procesin e themelimit te Asociacionit, ajo thotë se është në dorën e qeverisë që të formojë ekip të ri, por që nuk pre që të ketë ndikim në themelimin e Asociacionit.
“Tani është në dorën e qeverisë që të formojë një ekip të re për hartimin e draft-statusit të asociacionit, gjë që nuk pres që të afektojë në procesin e themelimit”, deklaron deputetja Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/