Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, konfirmoi të martën Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, raporton GazetaBlic.
Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.
Deputeti i VV’së, Agon Batusha ka folur rreth takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.

Batusha në një prononcim për GazetaBlic thotë se në këtë takim do të vazhdojnë bisedimet për dakordimin e arritur në Ohër.
Batusha shprehet opotimist rreth këtij takimi ku potencoi se do të jetë përfaqsim i drejtë i interesave të Kosovës.“Takimi i 2 majit është takim për të vazhduar tutje me dakordimin e arritur në Ohër. Nuk presim asgjë më pak se sa përfaqësim i drejtë i interesave të Kosovës, mbrojtja e Kushtetutshmërisë së vendit tonë”, tha Batusha.
Tutje ai shtoi se, ndërmjetësuesit duhet të jenë më të qartë, ta mbajnë fjalën dhe mos të jenë të njëanshëm.“Natyrisht, do të duhej të diskutohej edhe për deklaratat dhe veprimet destruktive të palës serbe. Faktori ndërkombëtar, pra ndërmjetësuesit duhet të jenë më të qartë, më të qëndrueshëm në mbajtjën e fjalës dhe më të paanshëm”, tha Batusha për GazetaBlic.
Edhe deputeti i partisë në pushtet, Halil Thaçi tha për GazetaBlic se ky takim ka një rëndësi shumë të veçantë, sepse bëhet fjalë për çështjen e të pagjeturëve të luftës në Kosovë.

Kjo çështje sipas Thaçit, do të jetë një problem shumë i madh për Serbinë sepse bota do ta sheh fytyrën e saj të vërtetë.
“Takimi i 2 majit për mendimin tim, ka një rëndësi të veqantë për arsye se si pikë e parë është çështja e të pagjeturve të luftës në Kosovë. Çështja e të pagjeturve është ndër çështjet me ndjeshmëri shumë të madhe për Shtetin tonë , por sipas mendimit tim është edhe e vështirë për Shtetin Serb për arsye se bota edhe njëherë do ta sheh fytyrën e vërtetë të Serbisë”, tha Thaçi.
“Përveç krimeve monstruoze të kriminelve Serb gjatë luftës, shteti i tyre vazhdoj me krimin edhe më të madh që është fshehja e trupave të të vrarëve”, shtoi Thaçi.
Sa i përket formimit të Asociacionit dhe do të ketë presion shtesë për ta formuar atë, Thaçi shton se Serbia e prishur vetë marrëveshjen e 2015-tës.
“Ndërsa kur jemi te formimi i Asociacionit, unë mendoj se Seriba vetë ka prishur marrëveshjen e vitit 2015 me thirrjen e tyre për sabotim të institucioneve të Republikës së Kosovës nga ana e përfaqsuesve të pakicës serbe”, tha Thaçi.
Lidhur me takimin për Gazeta Blic ka folur anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj.

Ai thotë se i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes, për mos cenim të kushtetutshmërisë së Kosovës.
“Neve i kemi dhënë mbështetje këtyre zhvillimeve me kushtin e mos cenimit të kushtetutshmërisë së Kosovës”, thotë ai.
Haradinaj thotë se nuk pret ndryshim nga Serbia për zbatim të obligimeve, pasi këtë nuk e ka bërë as në të kaluarën.
“Kosova ndër vite i ka kryer obligimet e veta por pala serbe as nuk i ka kryer dhe as nuk pres që do të ndryshojë përderisa ata janë në pozicionin pro Putinit”, deklaron Daut Haradinaj.
Analisti Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se takimi do të jetë shumë i vështirë dhe i rëndë.

“Vlen të ceket se takimi i 2 majit do të jetë shumë i vështirë, shumë i rëndë sepse për kontekstin politik që po flasim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dihet fare mirë sesi është ne pozicione që janë diametrisht të kundërta dhe ndërkohë kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme sikurse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe votimi kundër i Serbisë në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit, që me siguri do të kenë ndikimin e vetë edhe në atmosferën e atij takimi”, thotë ai.
Por, Sadiku vlerëson se do të kemi hapa konstruktiv përpara.
“Por, ajo që është më me rëndësi, me siguri do të kemi hapa konstruktiv përpara sepse nuk mendoj që as bashkësia ndërkombëtare po as Kosova e Serbia nuk do të lejojnë të humbet aq lehtë progresi i arritur në Ohër”, thekson analisti për Gazeta Blic.
Sipas tij, muajt në vazhdim do të jenë vendimtarë përfundimin e shtetndërtimit ndërkombëtar të Kosovës, ku ai thotë se tani po vendoset autonomia lokale me elemente të autonomisë territoriale për komunitetin serb të Kosovës.“Para së gjithash duhet cekur se në muajt në vijim do të jenë muajt vendimtarë për përfundimin e shtetndërtimit ndërkombëtar të Kosovës, i cili pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 po përfundon tash me vendosjen e autonomisë lokale me elemente të autonomisë territoriale për komunitetin serb të Kosovës nën Qeverinë Kurti, që në opozitë ishte totalisht kundër autonomisë së serbëve në Kosovë, por, tani ka ndryshuar qëndrim me ardhjen e tyre në pushtet”, deklaron Arbnor Sadiku.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi thotë se Kosova gjendet para një prove të rëndë, ku Kurti u paraqit se nuk e di kush e ka përpiluar statutin e Asociacionit e më pas u zbulua komisioni për hartimin e tij, e cila është nga partia e Vuçiqit.

“Republika e Kosovës gjendet para një prove të rëndë! Në skenën politike të Kosovës, u paraqit nga KM i Kosovës, z.Kurti, informacioni se, “statutin e Asociacionit nuk e di kush e përpilon dhe se atij nuk iu ka lejuar të përpilojë të njëjtën”. Ky informacion u zgjerua dhe doli në shesh komisioni për hartimin e Statutit për Asociacion. U pa se komisioni përbëhet kryesisht nga serbët që i takojnë pushtetit aktual në Serbi. Kryesuese e komisionit qenka Daniela Vujovic e partisë së kriminelit të luftës, Vuçiq”, thotë ai.
Sipas Kelmendit, ë thuhet se nuk u lejuan ta përpilojnë draft statutin e Asociacionit pak ditë para takimit në Bruksel është papërgjegjësi e qeverisë dhe se është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.
“E dhëna se “Kosovës nuk iu lejua si shtet të përpilojë Statutin e Asociacionit” është papërgjegjësi totale e Qeverisë së Kosovës. Të thuhet, “nuk u lejuam të përpilojmë Statutin”, tash disa ditë para takimit me 2 maj në Bruksel, në mes z. Kurtit dhe kriminelit të luftës, Vuçiqit, ku pjesë e agjendës është edhe prezantimi i draftit të Statutit për Asociacion, është jo vetëm papërgjegjësi politike e Qeverisë Kurti, por edhe një veprim fëmijëror i Kurtit në dialog. Padituri totale!!?? Apo! Ky veprim përmban shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës. Ekipi është dashur të jetë i Qeverisë së Kosovës, e jo që në ekip për Statut të jenë anëtarët e partisë së kriminelit të luftës, Vuçiq; nga një shtet tjetër, për shtetin e Kosovës”, vlerëson Muhamet Kelmendi për Gazeta Blic.
Ai pyet se çka bëri Kurti në takimet në Bruksel dhe Ohër, a shkoi atje për fitore të Pirros apo për ta mbrojtur shtetin e Kosovës.
“Pyetja paraqitet: Çfarë bëri z.Kurti në Bruksel dhe në Ohër? Shkoi atje për të arritur “fitore të “Pirros”! Apo shkoi në dialogim për të mbrojtur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, që e la në baltë dhe e vendosi në “pazar”. Mos shkoi atje për të shprehur dokordësinë për Asociacion”, shprehet profesori.
Ai thotë se është tejet e rrezikshme mënyra se si statuti i Asociacionit që do të bëhet në Kosovë, të përgatitet nga dikush tjetër, teksa shton se me këtë ka mjaft bazë që Qeveria Kurti të largohet nga pushtet dhe po ashtu ka edhe përgjegjësi penale.
“Është tejet e rrezikshme forma e punës së bërë nga shteti serb për Asociacion në Kosovë. Ku është parë kjo në botë! Nuk ka fare bazë juridike, as kushtetuese, sikundër s’ka rast të njëjtë në botë, që dikush tjetër të hartojë draftin e Asociacionit që do të ndërtohet brenda shtetit tjetër, si në Republikën e Kosovës. Kjo është bazë për largim nga pushteti i Qeverisë Kurti. Madje është edhe bazë për përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale”, vlerëson Kelmendi.
Sipas tij, me 2 maj do të shihet nëse do të vazhdohet pushteti i Qeverisë Kurti, ose nëse Kurti do të ikë me “bisht nën këmbë” dhe do të përcaktohet e ardhmja e Republikës së Kosovës, nëse do të jetë i copëtuar apo do të vazhdojë të jetë i pavarur dhe sovran.
“Me 2 maj do të vije një draft Statut i Asociacionit që ndërtohet në hapësirën territoriale të Kosovës nga Serbia. Dhe, këtej, do të kemi një draft Statut të shtetit të ri serb në Kosove. Ndërsa, dihet se ky Statut nuk guxon të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk lejohet të ketë pushtet ekzekutiv dhe as të krijohet një pushtet i tretë. Këto janë faktet që do të tregojnë se ku gjendet z.Kurti! Me 2 maj bëhet vazhdimi i punës së Qeverisë ose ikja me “bisht nën këmbë” i z.Kurti nga Qeveria e Kosovës ose do të kemi fitore, në kuptimin politik. Në fushën juridike vendim ligjor. Statusi i Asociacionit përcakton gjithashtu edhe të ardhmen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran apo i copëtuar dhe i ndarë. Republika është në rrezik”, deklaron Muhamet Kelmendi.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë se në këtë takim palët do të pranojnë draftet e hartuara nga zyret e Lajçakut dhe Borrellit, teksa shton se çështja e Asociacionit do të shkon me kusht: “Merre ose Bëje”.

“Takimi i 2 Majit, është takim ku delegacioni serb dhe ai kosovar, pranojnë draftet e hartuara nga zyret e Lajçakut e Borellit, në ketë rast u ofrohet drafti i statutit të Asociacionit me kushtin Merre ose Bëje”, tha Berisha.
Sipas Berishës, marrëveshja e Ohrit është tradhëtia më e madhe që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia bëri vendit.
“Ne tashmë e dimë se marrveshjen e Ohrit e interpreton BE-ja, kurse palët vetëm i marrin detyrat në formën e draft’marrveshjeve detyruese të gatshme, të pa negociueshme më nga palët, sipas interpretimit që iu bëjnë arbitrët Lajçak e Borell. Prandaj, marrëveshja e Ohrit është tradhtia e madhe që ky kryeministër ia bëri vendit”, tha ai.
“Rezultatet e marrëveshjes së Ohrit, me fillimin e implementimit treguan se, Albin Kurti ka rrëshqit në tradhti. Pra, po ti referohemi memories politike, edhe parafushata aderuese në skenën politke e LVV, edhe programi elektoral dhe vet kauzat e krijuara si joshje, edhe zgjedhjet ku doli fituese, programi qeverisës dhe çdo proces e vendim politik, nga kjo qeveri, ka qenë skenar, me atashim të dyshimt inteligjent”, tha Berisha.
Berisha ka kritikuar në mënyrë të ashpër Albin Kurtin ku e quan ekzekutues të verbër të skenarëve politik.
“Kurse Albini nuk është asgjë tjetër veçse një ekzekutues i verbër i këtyre skenarëve, në vazhdim. Po ti referohemi zhvillimeve nga Shtatori 2021, marrëveshjet antikushtetuese që pasuan, si ajo për lëvizjen e lirë duke hequr “letren e bardhë” që zëvëndësonte pasaportën, targat, dokumentat e identifikimit – letërnjoftimi, për energjinë, të vitit 2022, deri te marrëveshja e 27 Shkurtit 2023, në Bruksel për Planin franko – gjerman ku përligjet
“Republika e tretë”, sipas ofertës së Millisgeviçit “më shumë se autonomi më pak se pavarësi” si dhe marrëveshja e Ohrit me Aneksin e implementimit të Planit, që e liron Serbinë nga kushtet penguese për integrim Kushtetues të Serbisë në BE, pa e njohur Kosovën as pa e hequr nga Kushtetuta si pjesë integrale e saj, në BE sipas Artikullit 35 në pikën dy të Aneksit”
“Të gjitha këto kriza “artistike” në Veri, si pjesë të skenarit, e patën edhe largimin e serbëve nga institucionet, për ta henidikepuar pushtetin shtetror të Kosovës, në atë pjesë të territorit”, tha Berisha.
Teksa ka folur për skenarët e Kurtit, Berisha thotë se akti i fundit ishin zgjedhjet në veri të Kosovës, që sipas tij patën efekt vetëm përforcimin e pozitës së qeverisë serbe.
“Akti i fundit i këtij skenari politik në dëm të rendit kushtetues e ligjor dhe unitaritetit të shtetit, janë zgjedhjet për kryetar komunash në katër Komunat e Veriut, që patën për efekt politik vetëm se përforcimin e pozitës së qeverisë serbe në Veri dhe tregimin se në Veri nuk ka aspak shtet, se është qeveria dhe strukturat parapolitike të Serbisë që e determinojnë çdo zhvillim në Veri të vendit, qoftë edhe refuzimin paqësor të zgjedhjeve demokratike e me ketë edhe të Kushtetutës, ligjeve dhe vet shtetit të Kosovës, serbët demostruan qëndrimin plebishitar se nuk e njohin as pranojnë shtetin e Kosovës”, tha Berisha.
Berisha ka folur edhe për presionin që po bëhet për formimin e Asociacionit, që sipas tij është finalizuar me Aneksin e Ohrit.
“Presioni tashmë është bëre dhe është finalizuar me Aneksin e Ohrit për implementim të Planit franko-gjerman. Tashmë, vetëm i formalizojnë detyrimet deklarative sipas tekstit të Planit dhe Aneksit specifikisht, e në këtë rast formalizohet Asociacioni, i cili nga njëra ndër detyrimet në marrëveshjen e parimeve 2013, në frymën e interpretimit Kushtetues nga Gjykata përkatëse më 2015, pas zhvillimeve në Veri që nga ardhja në pushtet i kësaj qeverie, ka kaluar në marrëveshje “kusht” për procesin politik tutje”, tha Berisha.
“Faktikisht Kosova tani nga takimet e Brukselit, merr detyrime, Serbia tani e ka komoditetin të ushtron kërkesat, kurse BE përmes përfaqësuesve/ndërmjetësuesve arbitron përmbushjen e detyrime që dalin nga marreveshjet gojore në Bruksel e Ohër ndaj Kosovës”, shtoi ai.
Berisha thotë se në takimin e 2 majit, Kosovës po i kërkohet draft statuti i Asociacionit me autonomi politike, që sipas tij, nëse Qeveria dështon në këtë drejtim ky statut do të vijë i gatshëm.
“Pra, në takimin e 2 Majit, palës kosovare po i kërkohet draft statuti i Asociacionit me autonomi politike, e nëse qeveria dështon në ketë drejtim, statuti do ti vijë i gatshëm nga interpretuesi autonom i detyrimeve nga marrëveshja e Brukselit e Aneksi Ohrit, z. Lajçak. Në variantin më të mundshëm do ta sjellin një kopjim të Statutit që kohë më parë ofroi fondacioni FES. Në opsion janë edhe modelet e Lajçak 15 sosh. Por, Kosova ka modelin e vet tashmë funksional, Asociacionin e Komunave të Kosovës 33 sosh, që gjeneron nga Kushtetuta, Ligjet përkatëse që burojnë nga Pakos së Ahtisarit. Nëse duhet ti referohemi “modeleve” të ndryshme nëpër Botë, që zgjidhin këto natyra kontekstesh, atëherë, si subjekt i ish-Federates, ti referohemi zgjidhjeve që kanë bërë popujt e asaj bashkësie si psh Kroatët”, tha Berisha.
“Pra, pse të mos e kërkojmë modelin kroat për asociacionin e komunave me komunitet shumicë serb?! Kosovës i përshtatet modeli kroat i integrimit paqësor të viseve të kontestuara juridikisht. Së pari, integrimi. Pastaj asociacioni. Bashkësia ndërkombëtarë, nuk duhet të operoj me standarde te dyfishta. Është përmendur Kroacia dhe modeli kroat i asociacionit por pse se përmendin “modelin kroat te integrimit paqësor të pjesëve të okupuara nga serbët në kufi me Serbinë. Aty është parë roli i Bashkësisë Nderkombëtare, kur ju mundësua kroatëve, ta kenë shtetin në kufij të njohur nga Komisioni i Badinterit. Pra, në kufijt e ish Republikave të ish Jugosllavisë.
Sipas Berishës, Asociacioni dhe çdo veprim tjetër i dëmshëm për Kosovën do të thotë ndarje, e ndarja do të thotë luftë.
Edhe Kosova si njësi me subjektivitet federal në ish Jugosllavi, të njihet në kufijt e vet ekzistues, siç e kanë njohur SHBA dhe opinioni i GJND. Të ndodh pranimi ndërsjelltë me Serbinë. Asociacioni dhe çdo veprim tjeter i dëmshëm politik para integrimit, e pranimit të kufijve, dhe njohjes së ndërsjelltë me Serbinë, do të thotë ndarje. E ndarje, do të thotë luftë”, tha Berisha.
Pal Lekaj nga AAK-ja thotë se Serbia nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjen me Kosovën.

Teksa ka komentuar takimin e 2 majit që do të mbahet në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, Lekaj shtoi se të dyja palët duhet të kenë kërkesë nga SHBA-të dhe BE-ja.
“Vet refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Është e nevojshme që të dyja palët të kërkojnë nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thotë Lekaj.
Lekaj paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodhë, vështirë të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
“Në të kundërtën çdo angazhim i palëve të përfshira vështirë se do reflektojë me rikthimin e normalitetit dhe të rendit e ligjit në terren”, tha Lekaj për GazetaBlic.
/GazetaBlic/


