Akademiku serb, Dushan Teodoroviq, në një intervistë për të përditshmën serbe, “Danas”, tha se Serbisë i kushton çdo vit, çdo muaj, çdo ditë dhe çdo minutë që kur Aleksandar Vuçiq është në pushtet. Ai tha se presidenti serb e di se Kosovën e kemi humbur në vitin 1999.
“Gjendja aktuale në Kosovë, pa dyshim, është rezultat i vendimeve të njëanshme të një njeriu narcisoid dhe arrogant, i cili për arsye të panjohura për mua i ka caktuar vetes një rol mesianik”, tha Teodoroviq.
Akademiku serb tha se “Serbia po shembet dita-ditës jo për shkak të Aleksandar Vuçiqit, por për shkak të frikacakëve dhe paaftësisë dhe pavendosmërisë sonë për të thyer regjimin e tij me demonstrata, grevë të përgjithshme dhe të gjitha format e mundshme të rezistencës civile”.
“Aleksandar Vuçiq që nga fillimi gënjen dhe mashtron qytetarët e Serbisë dhe serbët nga Kosova. Një seri e tërë e lëvizjeve dhe deklaratave të tij gjatë dhjetë viteve tregojnë se ai gjithmonë përpiqej të tregohej si evropian jashtë Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë ishte një serb i madh në Serbi dhe Republika Srpska”, thotë Teodoroviq.
Më tej ai thotë se Vuçiq “për shkak të vlerësimit të tij politik, sikurse edhe një numër i madh i politikanëve opozitarë, nuk guxon të dalë para popullit dhe të thotë – e kemi humbur Kosovën në luftën e vitit 1999”.
“Vuçiq e di shumë mirë që Kosova është humbur kaherë, por për shkak të pikëve politike vazhdon të luajë rolin e ‘Aca Serb’, në të njëjtën kohë fshehtas dhe gjysmë fshehtas pjesërisht zbaton atë që ka rënë dakord me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Teodoroviq.
Sipas tij, politika e Vuçiqit për Kosovën është politikë e humbjes së kohës, mashtrimit dhe gënjeshtrave për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.
“Vendi ka njëzet miliardë euro më shumë borxh se para ardhjes së Vuçiqit në pushtet. Në Serbi mbretëron Putinofilia, e cila vazhdon të ushqehet çdo ditë nga programet e turpshme në televizionet Pink, Happy, RTS, B92 dhe TV Prva dhe nga tekstet e rreme dhe të rëndomta në tabloide. Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe që nuk i ka dënuar krimet e luftës”, theksoi Teodoroviq.
Siç shton ai, “numri më i madh i kuadrove të Vuçiqit kanë diploma false apo të dyshimta dhe si pjesë e regjimit të Vuçiqit janë bartës të korrupsionit në ministri, ndërmarrje publike dhe vetëqeverisje lokale”.
“Vuçiqi, së bashku me kreun e Kishës Ortodokse Serbe vranë shtetin laik”, tha akademiku.


