Veterani i UÇK-së, Dardan Krasniqi, ka vendosur të largohet nga Kosova për në Finlandë bashkë me familjen, ku do ta kalojë pjesën tjetër të jetës, raporton Gazeta Blic.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, derisa ka thënë se ky është vendimi i tij më i vështirë.
Ai ka thënë se vendi që nga paslufta ua mori të drejtat për të cilat u angazhuan e luftuan, por që në politikë është ndryshe gjendja.
Ai ka thënë se ka qenë ushtar i Kosovës dhe do të jetë sërish po të jetë nevoja, derisa ka shtuar se lutet që atë ta shohë ballëlartë, ashtu siç u derdh gjak i madh për të.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur shok e miq!
Me ju që kemi nda gjithçka bashkë për vite të tëra!
Të dashur shok të luftës e aktivist politik!
Po ju njoftojë se tashmë unë neser me 28 prill udhëtojë për Finlandë, për ta kaluar pjesën tjetër të jetës! Për gurbetin si plagë e rëndë e shqiptarëve ndër breza nuk flas as nuk kam të drejt të flas, por për vetën time ndoshta të paktën kam të drejt me i thënë dy fjalë! Ikja nga Kosova është vendimi më i vështirë që se kisha menduar kurrë! “Por hallët të qojnë edhe në derë të hasmit” … Bileta një drejtimshme është e dhimbshme! E kam përjetuar rëndë, po e përjetojë keq!
Ky vend pa të drejt që nga paslufta na morri të gjitha të drejtat, krejt çfarë ne u angazhuam ishte për të ndërtuar disa parime bazë të shoqërisë e të cilat pa to nuk ka jetë, dhe ky vend nuk po ecë e nuk do të ecë kurrë, pra barazi drejtësi e meritokraci – kjo në terrenin e tillë politikë na kushtoi, humbëm kohë të çmuar, sakrifikuam shumë e nuk ja arritëm! Ndoshta ne jemi fajtorët e vetëm pasi ishim rritë e edukuar me fjalën e dhënë, me disa bazamente themeltare të moralit, dhe nuk e kuptuam se gjërat në politikë ishin ndryshe! Nuk kishin të bëjn me to! Por tashmë kjo nuk ka rëndësi!
I dashur vendi im, për ty isha bir e isha ushtar, për ty mora plagë e mora edhe derte edhe prapë kurdoherë do ti kalojë krejt bjeshkët e botës për të qenë ushtar i kësaj toke sa herë ka nëvojë! Lutëm çdo çast të jetës time që ty të shoh siç duhët ballëlartë, ashtu siq u derdhë gjak i madh për ty!
… dhe krejt në fund, falemderit disa miqëve të çmuar që nuk do të pranonin me ua përmend emrat për ndihmën e madhe që ma kanë dhënë! Ju jam borxhli tërë jetën! Ata e dinë se cilët janë!
Lamtumirë Kosovë!


