Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përmbylljen e afatit për pagesën e tatimit në pronë për vitin 2023, nga qytetarët e Kosovës.
Nëse ata nuk e bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë brenda kësaj periudhe, do të gjobiten.
Gjoba do të jetë 10% e tatimit të papaguar dhe për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa.
Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se qeveria përmes Ministrisë së Financave prej muajsh ka nisur përgatitjen e terrenit për një shantazh të tillë financiar ndaj çdo familje në Kosovë.
Ai këtë e quan veprim anormal, që nga rritja e tatimit në pronë.

“Është e vërtetë e madhe që qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave dhe departamentit për pronë tashmë disa muaj ka filluar që ta parapërgatisë terrenin për një shantazh të tillë financiar ndaj çdo familje në Kosovë. Për një veprim të tillë alogjik dhe anormal, që nga faza e vlerësimit të tatimit në pronë, rritja 100 për qind e deri tek metodologjia dhe praktika e përgatitjes së terrenit për ta implementuar këtë ngritje të tatimit në pronë, gjegjësisht këtë veprim juridik ndëshkues ndaj qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.
Sipas Shalës, këto rekomandime shantazhuese dhe kërcënuese po vijnë në një kohë të krizës ekonomike dhe një inflacioni të lartë.
“Është e pakuptimtë në rrethana çfarë ndodhet vendi, si krizë ekonomike por edhe në kuadër të një inflacioni kaq të lartë të na vijnë rekomandime shantazhuese dhe kërcënuese në këtë kohë nga qeveria e Kosovës për masa të tilla ndëshkimore deri në gjobitje”, vlerëson deputeti i PDK-së për Gazeta Blic.
Se si duhet vepruar që qytetarëve t’u lehtësohet pagesa e tatimit në pronë, Shala thotë se qeveria duhet ta prolongojë vendimin e keq që ka nxjerrë dhe qytetarët të paguajnë sipas normativës së vlerësimit në pronë me metodologjinë e vjetër, deri në amandamentim të ligjit.
“Ne si PDK dhe personalisht vetë kemi propozuar që qeveria do të duhej ta prolongonte vendimin e keq që ka nxjerrë dhe do të duhej që qytetarët të vazhdojnë të paguajnë sipas normativës së vlerësimit në pronë me metodologjinë e vjetër derisa të amandamentohet ligji i vlerësimit real i tatimit në pronë mbi indikatorë real social dhe ekonomik dhe jo në këtë formë paushallë, duke e përdorur kufirin maksimal të vlerësimit në pronë dhe pa pasur një praktikë dhe pa pasur një vlerësim real nga zyrat e qeverisë të vlerësohet prona në secilin fshat dhe qytet të Kosovës, që nuk ke parë askund në praktikat demokratike të vendeve”, deklaron deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Kurse, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë për Gazeta Blic e vlerëson si një prej shumë gabimeve të qeverisë rritjen e tatimit në pronë.
“Qeveria e Kosovës në mesin e shumë gabimeve në qeverisje, një prej tyre e ka rritjen e tatimit në pronë nga 100-300% të faturave të qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Lekaj thotë se AAK ka kërkuar kthimin e llogaritjeve të tatimit siç ka qenë, por që pushteti nuk ka dëgjuar për nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
“Ne si AAK kemi kërkuar kthimin e llogaritjeve të tatimit siç ka qenë, sepse qytetarët po ballafaqohen me rritje enorme të të gjitha çmimeve të jetesës, por që pushteti nuk ka dashur të dëgjojë për nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.
Ai e quan hipokrizi që tani qytetarët nëse nuk e paguajnë tatimin brenda këtij muaji do të gjobiten.
“Tani po që jemi në fund të Prillit dhe qytetarët duhet të paguajnë këstin e parë, dhe nëse kjo nuk ndodhë ata padrejtësisht do të dënohen. Hipokrizi është që në këtë kohë në Kuvend është ardhur Projektligji ku parashihet falja e tatimit në pronë deri në vlerën 100 euro për vitin 2023, dhe gabimi i Ministrit të Financave është që nuk ka dalë dhe të thotë që po parashikojmë faljen e tatimit dhe të gjithë ju që keni tatim deri në 100 euro, mos shqetësoheni dhe mos e paguni këtë detyrim, e jo të krijojë stres e panik tek qytetarët që t’i gjejnë paratë në këtë periudhë të rëndë ekonomike”, potencon Pal Lekaj.
Sipas tij, qeveria duhet ta ndalojë rritjen e tatimit në pronë, nëse do që të punojë për popullin.
“Nëse Qeveria do të punojë për popullin duhet ta ndalojë rritjen e Tatimit në Pronë, pasi kështu po e thonë edhe asociacioni i komunave të Kosovës dhe ekspertët e ekonomisë, e që padyshim që është zgjidhja më e mirë për momentin”, deklaron deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, thotë për Gazeta Blic se norma e interesit është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.
“Sa i përket se qytetarët e Kosovës, se kanë afat për pagimin e tatimit në pronë të këstit të parë të vitit 2023, deri në fund të muajit prill, dhe në qoftë se nuk e bëjnë këtë, ata do të gjobiten, dhe për ta do të aplikohen një interes prej 0.65% për secilin muaj nëse vonohet pagesa, si dhe një gjobë 10% të tatimit të papaguar. Norma e interesit është e lartë prej 0.65% për xhepin e qytetarit dhe e papërballueshme po të aplikohej pre 10% në muaj do të ishte e përballueshme dhe e arsyeshme sepse duhet të kemi parasysh pagat, si në sektorin privat dhe sektorin publik që janë ende të ulëta dhe në krahun tjetër inflacioni ende është shumë i lartë dhe dyshifror përkatësisht (Inflacion-Galopant)”, vlerëson ai.
Më tej, ai përmend edhe papunësinë e lartë dhe ekonominë e bilancin tregtar negativ.
“Dhe në krahun tjetër papunësia ende është e lartë, pastaj faktorët e prodhimit ende nuk janë mjaftueshëm të zhvilluar (puna, mjetet e punës, objekti i punës, dhe ndërmarrësia) si dhe jemi më shumë ekonomi më shumë konsumuese se sa prodhuese, dhe balanci tregtar ende është negativ sepse importi është më i madh se eksporti, e gjithë kjo reflektohet në ekonomitë familjare, më shumë dhe te kategoritë sociale që janë me të ardhura të ulëta”, deklaron njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa për Gazeta Blic.
Ndryshe, qytetarët që do ta paguajnë tatimin brenda këtij muaji, do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.
Projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, i cili ka edhe disa faza deri te miratimi i tij final./Gazeta Blic/


