Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se 80% e komunave kanë mungesë të mjekëve.
Sejdiu tha se planifikimet e komunave në këtë aspekt kanë dështuar komplet.
“Planifikimet e komunave kanë dështuar komplet. 80% e komunave vuajnë për mjekë, një pjesë e madhe e punteve shëndetësore të cilat janë në fshatra apo zona më të thella, janë të zbazura. Komunat nuk bëjnë asgjë, në disa raste mund të vihet faji edhe tek mjekët sepse janë të prirur për punësime në qytetet e mëdha. Në këtë drejtim komunat të cilat janë më pak atraktive, nuk kanë bërë njëstrategji se si ata të joshin mjekët. Ministria e Shëndetësisë këtu nuk ka shumë çfarë të bëjë, por MSH-ja e ka një mjet të cilin do të mund ta shfrytëzonte pra se nuk mund të shkosh në shkollim specialistik po nuk punove për 1-2 vite në shtëpitë e shëndetit, por ajo nuk është duke u respektuar” tha Sejdiu për “Gazeta Blic”
Kryetari i OMK-së renditi tre faktorët kryesorë që po ndikojnë në largimin e mjekëve nga Kosova.
“Ne gjatë gjithë kësaj kohe bëjmë sondazhe me këta kolegë përmes një formulari dhe të kuptojmë se cilat janë arsyet e largimit të tyre. Vetë arsyet që ata i parqesin janë në të vërtetë pikat ku në të vërtetë shteti duhet të bëjë diçka. Arsyeja kryesore është papunësia, pasi shumica prej tyre janë të papunë, shteti duhet të bëjë një strategji urgjente për punësimin e tyre. Faktori i dytë i largimit të mjekëve janë kushtet e punës dhe kushtet e specializimit edhe këtu duhet të merren masa. Ndërsa faktori i tretë është paga” tha Sejdiu në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”


