Sporti

Gazetari shumë i afërt me Napolin, Antonio Petrazzuolo: Rrahmani është top lojtar i Napolit, titulli ishte ëndërr – tani është e vërtetë!

04/24/2023 13:25
nga:L J

Skuadra e Napolit është më afër se kurrë ta fitojë kampionatin italian, Serie A, pasi dje mori një fitore tjetër me rëndësi ndaj Juventusit me rezultatin 0-1, falë golit të Raspadorit në minutën e fundit të ballafaqimit. Nëse Napoli fiton në shtëpi ndaj Salernitana-s dhe Lazio barazon ose humbet jashtë me Interin fundjavën e ardhshme, lojtarët e Spallettit do të vulosin edhe zyrtarisht titullin e tyre të parë në Serie A pas 33 vitesh.

Gazetari italian, Antonio Petrazzuolo thotë se festa në qytetin e Napolit është e madhe dhe se ky sezon ishte fantastik për ekipin e Napolit, me disa lojtarë që shkëlqyen me paraqitjet e tyre.

“Pas 33 vitesh, nga Scudetto e fundit me Maradonën, qyteti është një shpërthim gëzimi për titullin e tretë. Ky është një sezon fantastik me një Napoli të aftë të sundojë në çdo fushë. Komplimente të mëdha për të gjithë ekipin, Spallettin, klubin dhe tifozët gjithashtu. Osimhen e Kvaratskhelia, por edhe Lobotka, kapiteni Di Lorenzo dhe të tjerët kanë bërë diçka të pabesueshme”, tha fillimisht gazetari Antonio Petrazzuolo për ‘GazetaBlic Sport’.

Petrazzuolo, gazetari i famshëm, i cili është shumë i afërt me skuadrën e Napolit poashtu ka fjalë të mëdha edhe për futbollistin kosovar, Amir Rrahmani, që sipas tij po luan mjaft mirë dhe se është sezoni i tij më i mirë që nga transferimi në Itali.

“Amiri është një top lojtar i Napolit, ai është zgjedhur gjithmonë pranë Kimit. Me koreano-jugorin, ai është më i fortë. Mendoj se ky është sezoni i tij më i mirë në Napoli. Për tifozët italianë është një lojtar shumë i mirë”, vazhdoi gazetari italian.

Në fund, themeluesi i “Napoli Magazine”, Petrazzuolo thotë se festa e titullit kampion do jetë e jashtëzakonshme në qytet dhe do zgjasë shumë.

“Ishte një ëndërr, tani është e vërtetë. Të gjitha rrugët janë plot me logot e Scudettos së 3-të dhe festimet për lojtarët. Ne do të shijojmë vendin e parë në Serie A për muaj të tërë me shumë festime, jo i vetmi në Piazza del Plebiscito me ekipin. Çdo ditë i gjithë qyteti është i lumtur për ekipin dhe kështu do të jetë përgjithmonë”, përfundoi ai.

Antonio Petrazzuolo është një nga gazetarët e famshëm napolitan. Në vitin 1998, ai themeloi revistën Napoli Magazine, e cila është revista sportive numër një në qytet. Ai ka 147,000 ndjekës në Instagram dhe është burim i besueshëm i informacionit në Itali.

/GazetaBlic Sport