Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kritikave që kryeministri Kurti bashkë me deputetët e VV-së po i japin Prokurorisë dhe Blerim Isufajt, raporton GazetaBlic.
Haradinaj potencoi se partia në pushtet e ka një problem serioz, kur po e sulmon sistemin gjyqësor të vendit.
Haradinaj shtoi se vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit Kurti.
Shkrimi i plotë:
Ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti. Kur pushteti e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz.
Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë!
Kam frikë se diskursi i kryeministrit i shpërfaqur sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës është jo vetëm i gabueshëm, por edhe me pasoja të rënda për shtetin e për drejtësinë.
Prandaj, sot kam kërkuar që kryeministri dhe njerëzit e pushtetit të tij të vendosen në anën e drejtësisë e jo kundër saj. Ai duhet distancohet nga sulmet e parreshtura që po i bëhen prokurorisë dhe ta lërë drejtësinë ta bëjë punen e vet! Në të kundërtën, ai do të shndërrohet në sinonim të një kryeministri autoritar dhe gjithë pasojat do t’i bartë ai vet!


