Lajme

Drejtori i KEK-ut e mbron veten me para të KEK-ut

04/19/2023 21:41
nga:Y I

KEK-u ka dhënë një kontratë për “këshilla ligjore” 16 ditë para arrestimit të Nagip Krasniqit, drejtorit dhe njeriut të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kontrata peshon 60 mijë euro.

Kësisoj, Krasniqi që dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare po e mbron veten pikërisht me para të ndërmarrjes publike.

Për më tepër, avokatët që do ta këshillojnë Krasniqin nuk e kanë sefte, pasi një gjë të tillë e kanë bërë edhe në raste të tjera.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar të mërkurën nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Krasniqi siç duket e kishte “nuhatur” se atij si drejtor i KEK-ut do t’i dalin disa probleme me ligjin.

Prandaj më 3 prill, KEK-u kishte firmosur një kontratë në vlerë prej 60 mijë eurove.

Sipas ueb-faqes elektronike ‘E-prokurimi’, kontrata është dhënë me procedurë të negociuar.

Kompania që u zgjedh fituese në këtë tender është “Rexhep Zeqiri Zejna L.L.C”, me pronar Engëll Rexhepin.

Selia e këtij biznesi që merret me aktivitete juridike është në Prishtinë.

Megjithatë, e njëjta kompani kishte dalë e treta kur procedura e tenderit ishte e hapur për “angazhimin e një kompanie konsulentë ligjore”.

Por, tenderi ishte anuluar dhe më pas ajo ka dalë fituese pas negocimit direkt.

Rrjedhimisht, tenderët një-burimor kufizojnë konkurrencën dhe rrisin mundësinë për çmime më të larta e për cilësi më të vogël.

Bazuar në dosjen e tenderit, kompania e kontraktuar ka për detyrë – ndër të tjera – zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të paraqiten, përpilimin e shkresave si dhe pjesëmarrjen në seancë në OSHP, në procese gjyqësore apo arbitrazh në rast te kontestit.

Kohëzgjatja e kontratës është për 12 muaj. Ajo ka filluar më 5 prill të këtij muaji dhe përfundon më 4 prill të 2024-s.

Nga KEK-u nuk kanë treguar arsyen se pse është vendosur që ta shpërblejnë këtë biznes – për të cilën siç mëson Paparaci, e kanë këshilluar edhe më parë Krasniqin – me tenderin dhjetëra mijëra eurosh përmes një kontrate të negociuar.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka hedhur kritika ndaj ish-pushteteve për dhënien e kontratave një burimore, për çka sot vazhdojnë të heshtin ndaj veprimeve që ndërmarrje publike e ministri të ndryshme veprojnë kësisoj.

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, Ushtrimi i ndikimit’’ si dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’.

Nagip Krasniqi u emërua kryeshef i KEK-ut gjatë muajit tetor në vitin 2021. Para se ta merrte këtë pozitë, ai e kishte udhëhequr Komitetin për Energjinë në Lëvizjen Vetëvendosje./Paparaci.com/