Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka akuzuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, se kishte lobuar kundër liberalizimit të vizave.
Kadrijaj u deklarua kështu derisa ishte si e ftuar në emisionin Info Magazine dhe ishte duke folur për liberalizimi e vizave sot nga Parlamenti Evropian.
“Ne e kemi pasur një deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kur ka qenë në opozitë sa herë që kemi bërë vizita zyrtare jashtë vendit, ka lobuar kundër liberalizimit të vizave. Ka deputetë të LVV-ës që kur kemi qenë në vizita jashtë vendit kanë lobuar haptazi kundër liberalizimit të vizave, kjo ka qenë Fitore Pacolli”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka shtuar se deputetë të LVV-ës kanë dashtë që të fillojë një periudhë e re në politikë me Albin Kurtin, gjë që sipas saj, nuk është parë askund për dy vjet të Qeverisë Kurti.
“Këta nuk e kanë njohur asnjë rezultat, asnjë rezultat të pasluftës, e kanë kundërshtuar çdo rezultat të pasluftës duke dashtë që të fillohet një epokë e re me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje gjë që nuk po e shohim”, ka thënë Kadrijaj.


