Lajme

Putini duhet të mposhtet, vetëm fitorja ndaj Rusisë mund të sjellë paqe të pranueshme

04/18/2023 08:44
nga:Astrit Gashi

Pesë këshilltarë dhe diplomatë perëndimor, në një tekst të përbashkët autorial, kanë kërkuar që partnerët e Ukrainës duhet të ndihmojnë Kievin me të gjitha mjetet, shkruan GazetaBlic.

Vetëm fitorja ndaj Rusisë, shkruajnë ata, mund të sjellë një paqe të pranueshme.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë ende nga qëllimi i tij për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe “duket se ende beson se ai është më i qëndrueshëm se Ukraina dhe koalicioni ndërkombëtar që e mbështet atë”, shkruajnë pesë këshilltarë politikë dhe diplomatë me ndikim nga Perëndimi.
Teksti i titulluar “Si mund të mposhtet Putini” u nënshkrua nga këshilltari shumëvjeçar i kancelares Merkel dhe kreu aktual i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Christoph Heusgen, më pas ish-gjenerali kryesor i NATO-s dhe këshilltari ushtarak i Francës, Stephon Abrial dhe ish-këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jim Jones.

Si autorë janë firmosur edhe Simon Macdonald, ish-sekretar i shtetit në Ministrinë e Jashtme Britanike dhe Stefano Stefanini, ish-këshilltar për politikën e jashtme të Italisë.

Një fitore ruse në Ukrainë, shkruajnë ata, do të minonte rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe do të krijonte një “precedent të rrezikshëm” për shkelje të tjera të integritetit territorial.

“Por nëse vendet që mbështesin Ukrainën zgjedhin strategjinë e duhur dhe e zbatojnë vazhdimisht atë, qëllimet e Putinit do të dështojnë. Ai e nënvlerëson plotësisht fuqinë e lirisë,” shkruan pesë diplomatë në një artikull të botuar nga Tagespiegel, përcjellë GazetaBlic.

Duke deklaruar se rezistenca ndaj regjimit të Putinit po shfaqet edhe në ish-republikat e tjera sovjetike dhe se Moska mbetet me pak aleatë dhe se edhe Kina nuk është e gatshme të mbështesë plotësisht qëllimet ruse, autorët shkruajnë: “Liria ka njëjoshje më të fortë se tirania”.
Sipas tyre, “luftëtarët ukrainas të lirisë duhet të mbështeten me të gjitha mjetet”, dhe nuk mjaftojnë vetëm fjalët. Putinit duhet t’i tregohet se ai nuk mund të fitojë një luftë rrënuese.

“Ne duhet të shkojmë deri në fund në ndihmën tonë për Ukrainën. Ne duhet ta furnizojmë Ukrainën me armët dhe municionet që i nevojiten për t’iu përgjigjur agresionit rus,” thuhet në tekst.

“Sa më shpejt Putini të kuptojë se nuk do t’i arrijë qëllimet e tij në Ukrainë, aq më shpejt mund të arrihet paqja dhe vuajtjeve të popullit ukrainas mund t’i jepet fund,” thanë këshilltarët, duke kërkuar që tanket, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe avionët luftarakë duhet dorëzuar në Kiev për një “kundërofensivë të suksesshme”.

Sipas tyre, vetëm fitorja e Ukrainës mund të çojë në “negociatat e suksesshme të paqes në kushte të pranueshme”. Lidhur me ato negociata, shkruajnë autorët, Kinës nuk duhet t’i besohet shumë.

Heusgen, Abrial, Jones, Macdonald dhe Stefanini bëjnë thirrje për më shumë para për të investuar në mbrojtje. “Nuk është më e pranueshme që Gjermania dhe Italia të mos ndajnë as dy për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtjen”, shkruajnë ata, duke shtuar se industria e dedikuar franceze duhet të kalojë në “modalitet lufte” siç kërkohet nga autoritetet lokale.

“Nevojitet një kontribut më i fortë evropian për të ruajtur mbështetjen për Ukrainën në SHBA. Putini po luan kartën e lodhjes nga Ukraina në SHBA dhe ne duhet të vërtetojmë të kundërtën!”, thuhet në tekst.

Ky apel përfundon me konstatimin se Putin, “në vend që të sundojë një perandori, është bërë i përbuzur ndërkombëtarisht” dhe përballet me padi për krime lufte.

“Por për të vazhduar luftën për liri dhe për të fituar ndaj Putinit, Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje. Partnerët ukrainas duhet të shtojnë përpjekjet e tyre. Nëse liria ka karta më të forta se tirania, fitorja është e sigurt,” thonë pesë këshilltarë me ndikim.