Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se ka arrestuar katër kosovarë, të cilët janë kapur në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Operacioni policor është koduar si “Midnight 8”.
Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit janë A. P., 27 vjeç; E. S., 22 vjeçe; U. K., 27 vjeç; A. S., 26 vjeç, banues në Prishtinë.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin kundrejt pagesës, emigrantë të paligjshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Maliq-Gramsh”, pranë vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”, Maliq, bënë të mundur lokalizimin e tre automjeteve, tip “Volkswagen”, “Audi Q7” dhe “Audi A8”, me të cilët po qarkullonin shtetasit e lartpërmendur.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të transportonin kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të BE-së, 5 emigrantë të paligjshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 4 aparate celulare, shuma monetare të valutave të ndryshme.”


