Sporti

Arti Hajdari flet para ndeshjes së dytë ndaj Golden Eagle Yllit: Jemi të fokusuar 100%, do të bëjmë maksimumin

04/14/2023 22:07
nga:Mergim Rreci

Golden Eagle Ylli dhe Peja e zhvillojnë nesër ndeshjen e dytë në kuadër të gjysmëfinales së Superligës të basketbollit kosovar.

Peja e fitoi ndeshjen e parë që u zhvillua të mërkurën në “Karagaç”, me takimin që përfundoi me rezultat 85-82, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshja e nesërme do të zhvillohet me fillim nga ora 20:30, në Palestrën “13 Qershori” në Suharekë, atje ku përsëri pritet të kemi spektakël dhe rivalitet të madh deri në sekondin e fundit.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, njëri ndër basketbollistët më të dalluar tek Peja, Arti Hajdari tha se duhet të përqëndrohen maksimalisht në ndeshjen e nesërme, sepse në këtë seri duhet minimalisht 3 fitore për të kaluar tutje.

“Ne fituam ndeshjen e parë dhe sigurisht e kuptojmë që për të kaluar në finale duhen minimalisht 3 fitore, andaj ka shumë ndeshje për të luajtur. Duhet të jemi të fokusuar dhe të bëjmë maksimumin në ndeshjen e dytë, sepse ndeshjet e play off-it janë derbi në vete”, tha fillimisht Hajdari.

Më pas, ai u pyet se cilën skuadër do ta dëshironte në finale, Trepçën apo Sigal Prishtinën, gjithmonë nëse pejanët e eliminojnë Yllin.

“Ne po mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme dhe jemi fokusuar të kalojmë në finale, kush do të jetë në anën tjetër nuk është shumë e rëndësishme sepse në play off të gjitha skuadrat janë të kompletuara dhe detajet do të vendosin ndeshjet“, përfundoi basketbollisti i Pejës, Arti Hajdari.

/GazetaBlic Sport/