Lajme

Ish-asamblisti thotë se laptopin që e mori nga i akuzuari ishte me defekt dhe nuk punoi asnjëherë

04/13/2023 20:16
nga:G B

Ish-asamblisti Islam Ukaj ka thënë se laptopin që e kishte marrë nga i akuzuari Ilir Baldedaj kishte pasur defekt dhe asnjëherë s’kishte funksionuar.

Këtë deklarim Ukaj e ka dhënë në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Themelore në Prizren në rastin ku Ilir Baldedaj, si drejtor i Administratës akuzohet se kishte shpërndarë laptopë për asamblistët pa vërtetimin se kjo pasur shtetërore duhet të kthehej pas përfundimit të mandati publik.  Të enjten, pos Ukajt, dëshminë e ka dhënë edhe Adnan Kurtishaj si dhe është bërë shikimi i video- incizimit ku kishin deklaruar shefat e grupeve paramentare rreth laptopëve të pranuar dhe posedimin e tyre në Kuvendin Komunal të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në deklarimet e tij, dëshmitari Ukaj ka treguar se në vitin 2018 në pozitën e asamblistit e ka zëvendësuar asamblistin Kujtim Gashi. Të njëjtën pozitë, ai tha se e ka mbajtur deri në fund të viti 2021.

Ukaj ka thënë se gjatë asaj kohe ka pranuar një lapotp, ku në rastin e pranimit ka nënshkruar një procesverbal me të gjitha detajet lidhur me laptopin.

Ai deklaroi se që në momentin e pranimit e deri sot, i njëjti ka qenë me defekt, jashtë funksionit dhe se të njëjtin nuk e ka përdorur asnjëherë.

Tutje, ai tha se ka tentuar të kthejë të njëjtin në komunë, mirëpo nga zyra ku bëhet pranim- dorëzimi i mallit nuk e kanë pranuar dhe se laptopi gjendet ende në zyrën e tij.

Dëshmitari Ukaj ka treguar se Drejtor i Administratës në kohën kur kishte pranuar laptopin ka qenë Osman Hajdari.

Në fund, Ukaj tha se nuk ka kërkuar riparimin e laptopit ngase ka qenë shumë i vjetër.

Tutje, është bërë dëgjimi i dëshmitarit Kurjeshi, i cili ka treguar se 40 laptopë i kishte pranuar nga i akuzuari Baldedaj dhe se të njëjtit i ka funksionalizuar për asamblistët e Kuvendit Komunal.

Kurjeshi ka mohuar se ka lëshuar vërtetime për pranimin e laptopit për Bashkim Rakaj dhe Kujtim Gashin.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Baldedaj, avokat Engjëll Rexhepi ka ballafaquar dëshmitarin Kurjeshi me deklaratën që kishte dhënë në Prokurori sa i përket pranimit të laptopëve, me ç’rast dëshmitari ka thënë se e vërteta është ajo çka sot ka deklaruar se i akuzuari Baldedaj me telefon e kishte ftuar që të ia dorëzojë laptopët.

Dëshmitari Kurjeshi ka mohuar faktin se ka qenë anëtar i Komisionit për shpërndarjen e laptopëve, por se ka qenë anëtar i Komisionit për pagesën e 43 laptopëve.

Ai ka shtuar se në zyrën e drejtorit kanë qenë 43 laptopë, ku 40 prej tyre i kishte funksionalizuar, ndërsa 3 prej tyre kanë qenë në zyrën e drejtorit.

Kurjeshi ka thënë se nga ish-drejtori i Administratës Osman Hajdari ka kuptuar se laptopi i asamblistit Kujtim Gashi i është dorëzuar asamblistit Islam Ukaj.

Vërejtje në deklarimet e dëshmitarit Kurejshi, ka paraqitur avokati Rexhepi duke thënë se deklaratat e dëshmitarit janë kontradiktore mes vete dhe se i njëjti duhet të ndiqet penalisht për deklarim të rremë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka aprovuar propozimin e avokatit Rexhepi  për shikimin e video-incizimeve nga mbledhja e Kuvendit Komunal të Prizrenit në të cilën shefat e grupeve parlamentare deklaroheshin rreth pranimit të laptopëve dhe posedimit të tyre.

Vërejtje në shikimin e CD-së, ka paraqitur prokurorja Ervehe Gashi duke thënë se deklarimet e shefave të grupeve parlamentare janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe se me deklarimet e tyre është atakuar vendimi i gjykatës gjë të cilën ata nuk kanë të drejtë ta bëjnë.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 3 maj 2023.

Ndryshe, Baldedaj nga ish- gjykatësi Xheladin Osmani, për herën e dytë ishte dënuar më 2 gusht 2022 me 10 muaj burgim efektiv dhe si dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administrate ose shërbime publike në afat prej 2 vite. Edhe herën e parë, ai ishte dënuar me dhjetë muaj burgim efektiv më 15 janar 2021, mirëpo, Gjykata e Apelit dy herë e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Xheladin Osmani, më 15 janar 2021, i akuzuari Ilir Baldedaj ishte shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për çka ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohej se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro. /BetimipërDrejtësi