Lajme

Baraliu: Bashkësia ndërkombëtare të reagojë pasi zgjedhjet në veri duhet të mbahen

04/13/2023 18:43
nga:Astrit Gashi

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Baraliu në Klan Kosova tha se në këtë formë bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë edhe për shkeljen e dy marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Përkundër marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër haptazi po veprojnë kundër veprimeve që kanë marrë përsipër edhe kryetari i Serbisë edhe përfaqësuesi i diplomacisë, të cilët deklarojnë se nuk janë të interesuar që të zbatojnë marrëveshjet”.

“Në këto rrethana bashkësia ndërkombëtare që ka imponuar një marrëveshje të tillë ka përgjegjësinë e saj dhe duhet të reagojë, në rastin e Kosovës nuk reagohet çdo herë në kohën e duhur” tha Baraliu.

Baraliu, mes tjerash, tha se zgjedhjet në veri të vendit duhet të mbahen.

“Mendoj qe thjesht kahja e veprimit dhe qortimit nga bashkësia ndërkombëtare është për të dyja palët, por do të duhej të orientohet nga Beogradi pasi po obstruksion pasi shteti ynë e ka detyrë kushtetuese që t’i mbajë zgjedhjet. Ka kushte dhe duhet të mbahen zgjedhjet në veri”, tha Baraliu.