Sporti

Al Nassr konfirmon largimin e Rudi Garcia, raportohet se kjo ishte kërkesa e Cristiano Ronaldos

04/13/2023 16:43
nga:Mergim Rreci

Është zyrtare: Rudi Garcia nuk është më trajner i Al Nassr. Klubi saudit konfirmoi këtë të enjte se trajneri 59-vjeçar francez u largua nga klubi me “marrëveshje reciproke”.

“Al Nassr njofton se trajneri Rudi Garcia është larguar nga klubi me marrëveshje të përbashkët. Drejtuesit dhe të gjithë në Al Nassar dëshirojnë të falënderojnë Rudi Garcia dhe stafin e trajnerëve për përkushtimin e tyre në punën e tyre gjatë tetë muajve të fundit”, thuhet në deklaratën e klubit, përcjell GazetaBlic Sport.

Rudi Garcia fitoi 18 nga 26 ndeshjet që luajti si trajner i Al Nassr. E lë ekipin në vendin e dytë në Ligën Saudite, tre pikë prapa liderit Al-Ittihad Jeddah, nga Nuno Espirito Santo.

Klubi njoftoi gjithashtu se Dinko Jelicic, i cili ishte në krye të U-19-ve, tani do të komandojë ekipin kryesor. Ka zëra të vazhdueshëm që raportojnë se largimi i trajnerit Rudi Garcia lidhet direkt me Cristiano Ronaldon, i cili ishte i pakënaqur me të, sidomos në ndeshjen e fundit.