Të premten pritet të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj tre personave të dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po nesër pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj tyre”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës sot do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, për rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit, Valon Syla.
Prokuroria Speciale të mërkurën njoftoi se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre të dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit’.


