Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se veriu po dëshmon që është problem politik e që po manifestohet në fushën e sigurisë.
Ai ka folur për incidentin e fundit në veri, ku një serb mbeti i plagosur nga një polic i Kosovës, por ai kujton në mënyrë kronologjike gjendjen në veri që nga vitit 2011.
“Incidenti i fundit në veri ku si rezultat i mos bindjes së urdhrit nga ana e zyrtarëve policorë që ishin në detyrë në pikë kontrolli afër urës së Bistricës, ku si rezultat ka mbetur i plagosur një qytetar nga komuniteti serb. Por, le ta trajtojmë atmosferën e cila që nga 2021 fillojë të marrë një kahje tejet të rrezikshme si pasojë edhe të veprimeve amatoreske nga niveli politik, duke bërë kalkulime të gabuara që në atë kohe dhe që na përcollën edhe në 2022 me potencial të lartë deri te përmasa e një konflikti të drejtpërdrejtë me të gjitha strukturat e sigurisë së Serbisë në veri, kriminale dhe atyre paramilitare të njohur më emrin Wagner”, thotë ai.
Shala më pas përmend sulmet ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës në vitin 2023.
“Ku edhe përgjatë viti 2023 vazhduan sulmet ndaj zyrtarëve tani të piketuar të njësive speciale, duke i referuar sulmit të datës 23 janar ku në pikën e kontrollit përgjatë rrugës për Bërnjak, pikërisht të ura e Bistricës një veturë e tipit Audi nuk iu bind urdhrave zyrtarë për ndalesë dhe si pasojë në vetëmbrojtje zyrtari reagoi duke mbrojtur jetën e tij, kolegut por edhe infrastrukturën e shtetit, në këtë rast pikën e kontrollit duke shtënë në makinë, ku mbetën të plagosur dy persona me presedant kriminal dhe ky sulm ishte bërë në orët e vona”, thekson eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.
Më tej, ai kujton se sulmet ndaj Policisë së Kosovës vazhduan edhe me 2 prill, teksa ata po siguronin rend dhe siguri për atë pjesë.
“Sulmet vazhduan edhe me 2 prill, ku në afërsi të qendrës së kontrollit teknik në orët e vona janë sulmuar policët që për detyrë kanë pasur të garantojnë rend dhe siguri për atë perimetër të sigurisë, ku edhe këtu sulmi është zhvilluar në orët e vona të natës. Në rastin e fundit ku si pasojë prapë të mos bindjes së shenjave dhe urdhrit nga zyrtarët policorë (pjesëtarët e Njësive Speciale), që para hyrjes në perimetrin e sigurisë që është vendosur të ura e Bistricës. Ku e cila është mirë e sinjalizuar duke zbatuar në përpikëri procedurat standarde operative të policisë për monitorimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit, si rezultat i kësaj pike tejet strategjike, qoftë në luftimin e krimit të organizuar, qoftë në garantimin dhe mbrojtjen e sovranitetit të pikave kufitare 1 dhe 31 me Serbinë”, vlerëson Drizan Shala.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka vepruar duke u mbështetur në tri elemente kryesore që kërcënimi ishte akut për jetën e tyre.
“Në aspektin e sigurisë, Policia e RKS-së (pjesëtarët e Njësive Speciale) kanë vepruar sipas PSO duke u mbështetur në tri elemente kryesore që kërcënimi ishte akut për jetën e tyre, për infrastukturën, prandaj veprimet kanë qenë:
– Të domosdoshme (sepse pika ka karakter strategjik)
– Të arsyeshme (rrezikimi i jetës së zyrtarëve policorë në detyrë, sulmet në të kaluarën në mënyrë sistematike)
dhe
-Proporcionale (Nëse shihni foto që kanë qarkulluar në media vërehen që forca është përdorur në proporcion me neutralizimin e rrezikut deri në atë moment sepse po të ishte tejkaluar forca, atëherë personi i dyshuar që ka precedant penal në atë moment nuk do të kishte pasur mundësi të lëvizte nga vendi në drejtim të qytetit dhe të kërkonte ndihmë dhe këtu nuk kishim folur për person të plagosur sepse statusi i tij do të ndryshonte)”, deklaron ai.
Andaj, Shala mendon se gabimet politike nuk duhet të barten te policia, e cila sipas tij po keqpërdoret nga politika për qëllime të politikës.
“Prandaj, mund të themi që vetëm në aspektin procedural ka lëshim teknik të situatës si pasojë të zhvillimit të ngjarjes e cila ka pasur progres të shpejtë duke mos pasur hapësirë që të përcillet ngjarja në kohë reale. Është mirë që gabimet në sferën politike mos të barten te pjesa profesionale të aparaturës shtetërore duke keqpërdor policinë e cila po vepron, me direktiva politike, për krijim hapësire për qëllim politike”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala./Gazeta Blic/


